Interi bën një hap të rëndësishëm drejt fitores në kampionat, duke fituar derbin me Milanin me rezultatin.
Zikaltrit e Antonio Contes dominuan pjesën më të madhe të lojës, dhe u treguan më cinik në zonën e rreptësisë, ku dyshja Lu-La, siç njihen tashmë Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez, dhanë spektakël, edhe pse bindi në përgjithësi edhe loja në kolektiv, ajo që deri më tani ishte forca e Milanit të Piolit.
Ndeshja iu thjeshtua Interit që në minutën e katërt, ku një aksion personal i Lukakut përfundoi në goditjen me kokë të argjentinasit Martinez, që shtangu Donnarumma.
Pjesa e parë u dominua nga Interi, që shpërdoroi mundësi të shumta, me një Milan në dukje i pafuqishëm por që në pjesën e dytë filloi me ritëm ndryshe, duke vënë në vështirësi mbrojtjen interiste, me Handanovic protagonist.
Por ndoshta në maksimumin e presionit për barazim, një aksion perfekt Eriksen-Perisic Martinez i pret përfundimisht gjunjët “djajve” kuqezi në të 57-ën.
Dhjetë minuta më vonë, një aksion spektakolar i Lukakut vulos rezultatin final, me Interin që ngjitet në kuotën e 53 pikëve, shkëputet 4 pikë pikërisht nga Milani, ndërkohë që distanca me të tretat për momentin është 10 pikë.
Me katër pikë më shumë se “Djalli” dhe i përqendruar totalisht në Serinë A, Interi “vrapon” me siguri drejt titullit kampion që i mungon prej 11 vjetësh.