Sport Suarez: Meritoja më shumë respekt, Barça gaboi me mua

Suarez: Meritoja më shumë respekt, Barça gaboi me mua

Te Barcelona me siguri janë bërë “pishman” për mënyrën si e larguan, por Luis Suarez edhe pse ka rigjetur veten në Madrid dhe po përjeton një rini të dytë te Atletico në moshën 34-vjeçare, ende nuk arrin ta kuptojë vendimin e klubit blaugrana për ta lënë të lirë. Në një intervistë për revistën “France Football”, El Pistolero autori i 16 golave në 20 takime me Los Colchoneros në këtë sezon të La Ligas, është rikthyer të flasë për largimin nga Barcelona duke deklaruar se ende nuk arrin ta “përtypë” trajtimin që i bënë drejtuesit e klubit katalanas.

“Ajo që më shqetësoi dhe më bëri të ndjehem keq ishte kur më thanë se isha i moshuar dhe nuk mund të luaja më në një nivel të lartë, të përballesha kundër ekipeve të forta. Kjo është ajo që nuk më pëlqeu.  Nëse nuk do të kisha bërë asgjë për një klub si Barcelona për 3-4 sezone, unë do e kisha kuptuar vetë. Por unë po shënoja çdo vit mbi 20 gola me ata. Gjithmonë kisha statistika të tilla, vija direkt pas Lionel Messit.”

Barcelona po kalon vështirësi të shumta në këtë sezon të cilin me shumë gjasa do ta mbyllë pa asnjë trofe dhe Suarez nuk nguron t’i vërë në dukje gabimet Barcelonës, ndërsa shton se meritonte më shumë respekt.

“Tani mund ta shohim të gjithë se nuk është e lehtë të luash me Barcelonën. Shumë lojtarë që kanë firmosur nuk kanë nivelin që ata prisnin prej tyre. Unë luajta për gjashtë vite duke ruajtur të njëjtin nivel dhe duke qenë në lartësinë e pritshmërive .Gjërat kanë ndryshuar atje, klubi kishte nevojë për ndryshime. Unë e pranova ndryshimin. E vetmja gjë që më mërziti ishte mënyra se si ndodhi. Mendoj se e kam merituar një farë respekti. Ishte një vendim që nuk e parandaloja dot. Ndjeva sikur nuk po më llogarisnin më, kështu që me krenarinë time i thashë vetes se do të vazhdoja të tregoja se sa vlej. Kjo ishte arsyeja pse më pëlqeu ideja të shkoja në një ekip konkurues si Atletico Madrid”.

Bomberi uruguaian me golat e tij synon të udhëheqë Atletico Madrid drejt titullit kampion në këtë sezon që do të ishte i 11-ti në historinë e klubit.