Sporti në përgjithësi dhe motoçiklizmi në veçanti janë në zi. Fausto Gresini është ndarë nga jeta duke mos e fituar dot betejën me koronavirusin. Ish-piloti që fitoi dy tituj kampion bote në klasin 125 kubik dhe që më pas ndërtoi skuderinë me emrin e tij u dorëzua në moshën 60-vjeçare. Prej ditësh lajmet që vinin nga spitali i qytetit të Bolonjës nuk sillnin optimizëm derisa erdhi njoftimi më i hidhur nga skuderia e tij Gresini që konfirmoi ndarjen nga jeta të Faustos.
Pas një karriere të suksesshme si pilot ku fitoi dy tituj edhe pse nuk garoi asnjëherë përtej klasit 125 kubik, Fausto Gresini në vitin 1997 u tërhoq si pilot dhe ndërtoi skuderinë e tij, që në vijimësi pati një sukses të jashtëzakonshëm, duke fituar tituj botëror në Moto 3, në 250 kubikësh, më pas edhe në Moto 2, teksa aktualisht skuderia e tij ishte e pransihme në Moto GP me Aprilian.
Emra të mëdhenj kanë kaluar nga skuderia e Fausto Gresinit, si Loris Capirossi, Alex Barros, Marco Simoncelli, Sete Gibernau e Tony Elias. U infektua me Covid-19 në dhjetor dhe pasi qëndroi për disa kohë në spitalin e Immolas, gjendja e tij u përkeqësua dhe u transferua në Bologna, por për fat të keq nuk ia doli të mbijetonte.