Gazetari investigativ Artan Hoxha i ftuar në studion e ABC News këtë të mërkurë ka sjellë në vëmendjen e publikut, vrasjen e ndodhur në nëntor të vitit 2016 në Fier, ku ka humbur jetën Nelgert Pata. Hoxha në fjalën e tij është shprehur se deri më tani nuk ka as autorë të dënuar dhe as persona të identifikuar në lidhje me këtë ngjarje ku si pasojë deri më tani kanë humbur jetën 7 të rinj.
Sipas gazetarit vrasja e Nelgert Patës në Fier në nëntor të 2016-ës për momentin ka bllokuar një seri vrasjesh që kanë ndodhur në atë periudhë në vendin tonë si pasojë e përfshirjeve në grupet kriminale.
“Kjo është një ngjarje që ishte vijim i një serie ngjarjesh që kanë ndodhur në atë kohë në vendin tonë, në Tepelenë, në Gjirokastër, Durrës që dukeshin si një grup lokal, por që u shtri më gjerë në të gjithë vendin. Drejtori i Policisë së Tiranës dhe Durrësit në atë kohë dhe ai i Fierit kur flisnin me njëri-tjetrin thoshin se kur do të plasë këtë javë. Kujtoni vrasjen që ndodhi tek ‘Stadiumi Dinamo’, atentati me snajper tek “Rruga e Kavajës”, atentati në Durrës dhe në Fier. Ky ishte një serial që duket se ndaloi në vrasjen e 20 nëntorit 2016 në Fier ku humbi jetën Nelget Pata dhe u plagos Ari Alinari. Kjo ishte dhe ngjarja që frenoi gjithë këtë seri vrasjesh,” u shpreh Hoxha, ndërsa shtoi se ka komunikuar personalisht edhe me personazhe të përfshira në këtë histori, dhe me familjarët e viktimës, dhe se një nga dyshimet është që Nelgert Pata është futur në kurth dhe është thirrur aty, në vendin ku ndodhi ngjarja.
“Pata gjatë datës 19 nuk kanë dalë fare nga hoteli, në datën 20 në mëngjes ka shkuar Ari Alinari dhe ka marrë në makinë Patën, ndërsa personi tjetër që ka qenë me të është larguar me një taksi para tyre. Kanë ecur diku 50-60 m dhe janë goditur më pas duke e lënë të vdekur atë. Dyshimi është se ai është futur në kurth dhe personi që ka qëndruar në hotel me Patën, që nuk është identifikuar, mund të ketë qenë dhe në dijeni të atentatit. Pata që ishte një person i kualifikuar për këtë aktivitet dyshohet se mund të jetë tradhtuar nga ai, por deri më tani nuk janë identifikuar autorët dhe personi që ka qenë me Patën”, tregon gazetari.
Pra sipas Hoxhës në lidhje me këtë ngjarje deri më tani nuk janë identifikuar autorët dhe as personi që ka qenë me Patën, por gjykimi është ndalur vetëm te një person, që dyshohet si bashkëpunëtor nga prokuroria shqiptare.
“Nga hetimi që është bërë, është çuar çështja në gjykatë dhe është çuar vetëm për një person, pra nuk janë identifikuar as autorët, nuk është identifikuar as personi që ka qenë me Nelgert Patën aty, por është identifikuar një person i cili është futur në suazën e bashkëpunëtorit, sepse diku një orë para ngjarjes me një automjet të cilin e kishte marrë me qera në emrin e vet, dhe ky person quhet Edvin Canaj në mos gaboj, ka ardhur nga Italia në Rinas, e ka marrë në Rinas këtë makinën në emër të vet me qera, ka shkuar ka takuar njerëzit e vet, ka qenë në Elbasan, në Krujë në Fier. Ai është parë tek vendi i ngjarjes. Pra para se të ndodhte ngjarja ky ka parkuar në një pozicion diku te 70-80 metra nga hoteli, me një automjet Skoda me targë AA787NE. Mbasi është larguar ky aty ka ardhur automjeti i autorëve i cili ka qenë një benz ngjyrë vishnje, makinë e vjedhur, me targa të huaja, dhe është vendosur në vendin nga ku është larguar ky person. Autorët kanë parë që aty mund ti kapte një kamer biznesi dhe kanë lëvizur pak më tutje. Në momentin që është parë lëvizja e automjetit të Jani Aliajt këta i kanë shkuar nga mbrapa, kanë bërë goditjen dhe janë larguar”, tregon Hoxha mbi itinerarin e ngjarjes.
Sipas tij, ajo çka është e çuditshme, mbetet fakti se në të gjithë këtë histori, hetimi ka shkuar dhe ka kapur për bashkëpunëtor vetëm emigrantin që ka ardhur nga Italia, dhe që ka marrë makinë me qera në Rinas në emrin e vet dhe që ka parkuar aty ditën e ngjarjes, afër një servisi.
“Ky person me emrin Edvin Canaj është në kërkim, nuk është kapur, madje është ndaluar në Belgjikë, (është me pasaportë amerikane), dhe autoritet belge e kanë liruar, nuk e kanë mbajtur në burg pasi kanë qenë të pamjaftueshme provat. Por në Shqipëri gjithë kjo çështje ka përfunduar vetëm te ky, pra te personi që ka pasur mjetin aty, dhe ky është vendosur nga hetimet e prokurorit në rolin e bashkëpunëtorit sepse sipas prokurorit ky ka zgjedhur vendin nga ky ishte pozicioni më i mirë që autorët do ndiqnin viktimën, dhe çështja ka shkuar me këtë gjë. Është si këto çështjet që unë kam përmendur vazhdimisht në Elbasan që nuk shkon çështja te koka apo grupi, por gjendet një person që konsiderohet si bashkëpunëtor, por nuk merret për bazë asgjë që thotë ai, por thjesht trajtohet çështja për tu mbyllur për të thënë që ne ja e bëmë një gjë. Edhe në rastin konkret është çuar një person, dhe vetëm ky është sot në gjykim, nuk e di kur do të jetë vendimi”, shprehet Hoxha.
Apeli i Artan Hoxhës është që drejtësia shqiptare të reagojë, të kapi autorët, dhe të mos kemi më ngjarje të tilla të përsëritura, që po marrin jetë njerëzish.
“Kjo është një çështje të cilën po e ndjek me kuriozitet sepse dua të shikoj se a do të vendos drejtësia më në fund në lidhje me këtë serial vrasjesh që ka marrë 7 apo 8 jetë të rinjsh; a do të jepet drejtësi për këtë, a do të parandalohet një hasmëri e cila tashmë ka detyruar familjet e përfshira në të dy palët që ose të largohen nga Shqipëria ose të jetojnë nën masa të rrepta sigurie sepse janë në hasmëri. Prandaj është çudi e madhe në gjithë këtë histori është kaq e pamundur të identifikohen të gjithë këta dhe çuditërisht është identifikuar vetëm ky që vepron me emër dhe mbiemër duke marrë makinën me qera. Megjithatë ajo që është e rëndësishme është se duhet të reagohet në kohë që në lidhje me këtë ngjarje të mos kemi më humbje jetësh njerëzore. Sepse e thashë ka qenë një serial ngjarjesh aq i pamëshirshëm sa nuk kanë pyetur fare se ngjarja do të ndodh në mes të Tiranës, ne mes të Durrësit, në mes të Fierit apo në periferi apo në ndonjë fshat të humbur”, u shpreh gazetari investigativ Artan Hoxha lidhur me vrasjen e Nelgert Patës në vitin 2016 në Fier.