Një person është vrarë me armë zjarri mëngjesin e kësaj të enjteje pranë zonës së Piramidës në Tiranë. Viktima mësohet se është Behar Sofia 66 vjeç nga Berati dhe banues në zonën e Kombinatit në kryeqytet.
Viktima u gjet i shtrirë në trotuar fillimisht në gjendje të plagosur. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë.
Sipas informacioneve paraprake, mendohet që viktima të jetë qëlluar me armë me silenciator nga një makinë në lëvizje, teksa 66-vjeçari ka qenë duke ecur në këmbë. Kjo për shkak se në zonë nuk janë dëgjuar të shtëna armësh.
Atentati konsiderohet i tipit mafioz për shkak të rrethanave dhe dinamikës, për shkak se ka ndodhur në një zonë mjaft të populluar të kryeqytetit.
Forcat e Komisariatit Nr.1 të Policisë së Tiranës ndodhen në vendngjarje dhe kanë rrethuar të gjithë zonën. Uniformat blu kanë nisur hetimet për të zbardhur tërësisht dinamikën e ngjarjes.
Në akse të rëndësishme dhe kryqëzime janë ngritur postblloqe për të bërë të mundur zbulimin dhe ndalimin e autorëve të dyshuar. Po kështu do të analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të ndihmuar në lidhje me hetimet për këtë atentat.