Bashkimi Europian synon të vaksinojë të paktën 70 për qind të qytetarëve brenda stinës së verës. Përqindja optimiste erdhi nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë një intervistë për mediat gjermane.
“Jam optimiste se do të vaksinojmë 70 për qind të qytetarëve brenda verës. Ky nuk është një sprint, kjo është një maratonë”, shtoi ajo.
E pyetur për vonesat në prodhimin e vaksinës, sidomos nga firma anglo-suedeze AstraZeneca, VonderLeyen, anashkaloi deklaratat e ashpra dhe i quajti prodhuesit partnerë në këtë pandemi.
Ndërkohë brenda BE-së po shtohen zërat për lëshimin e një dokumenti të përbashkët në mënyrë që të rifillojë udhëtimet dhe të shpëtohet turizmi për stinën e verës. Pas Greqisë, kancelari austriak Sebastian Kurz tha se do ta nxitë Bashkimin Europian për lëshimin e pasaportës së veçantë për të vaksinuarit. Nga ana tjetër Greqia është pranë një marrëveshjeje me Britaninë për të krijuar një korridor të sigurtë për të vaksinuarit që duan të pushojnë në brigjet e Mesdheut.