Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me mjekë dhe infermierë këtë të enjte. Ai u shpreh se vendi ka arritur në pikën më të keqe të pandemisë, ndërsa theksoi se numri i viktimave është më i lartë nga sa deklarohet.
“Kemi arritur në pikën më të keqe të pandemisë. Numri i viktimave shumë më i lartë se sa deklarohet. Informacioni i publikuar prej meje u vërtetua nga vetë statistikat e qeverisë. Mbi 6 mijë qytetarë kanë humbur jetën më shumë se një vit më parë. Numri i testimeve mbetet i ulët. Asnjë informacion mbi numrin e testimeve që bën ISHP dhe privati”, tha Basha.
Sipas kryeopozitarit, Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka informacion zyrtar nëse kanë mutacionet e Covid. Prandaj për Bashën, prioritet i qeverisë është propaganda dhe fshehja e fakteve. Kryedemokrati u shpreh se Shqipëria renditet e treta në botë për numrin e vdekjeve nga Covid.
“Vetëm Shqipëria nuk jep informacion zyrtar nëse ka mutacione. Prioriteti absolut i qeverisë, propaganda dhe fshehja e fakteve. Për këtë qeveri shëndeti dhe jeta e njerëzve nuk ka vlerë. I vetmi vend në Ballkan me cirkun shëtitës të kryeministrit për gjoja-vaksinimin. Ne u kemi dhënë zë shqetësimeve të profesionistëve. Të parët që kanë folur, profesionistët, jo ne. Nuk i kemi kërkuar Ramës të marrë masa si qeveritë europiane, nuk shpresonim. Nënvleftësimi i jetës dhe shëndetit të qytetarëve, krim. 6000 qytetarë të vdekur nuk janë numra. Keqmenaxhimi i pandemisë, monstruoz. Heroizmi i mjekëve shqiptarë, i pakrahasueshëm. Qeveria, e interesuar të vendosë qytetarët në konflikt me mjekët. Rama na renditi të tretët në botë për numrin e vdekjeve nga Covid. Edi Rama është i vetmi që nuk po bën detyrën e tij”.
Thirrja e Bashës për qytetarët: Ruani veten, kemi vetëm Zotin dhe…
Kryedemokrati Lulzim Basha u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë veten, pasi sipas tij, qeveria nuk është duke kryer detyrën e saj.
“E kam një thirrje për çdo bashkëqytetar që po na ndjek tani. Është thirrje e përsëritur që ju kam drejtuar gjatë gjithë kësaj kohe. Është thirrja që të merrni çdo masë për të ruajtur veten tua dhe të afërmit. Do ta bëja këtë thirrje dhe do ta bëj nesër edhe me përgjegjësinë e kryeministrit të vendit. Edhe atëherë kur qeveria e nesërme do të braktisë çdo shpenzim luksi, të kotë apo abuzimi dhe paratë do t’i çojë për shëndetin. Po jua bëj dyfish sot që nuk kemi qeveri por cirk-shëtitës dhe nuk kemi kryeministër, por prestigjator-shëtitës. Ruani veten, sot dyfish më shumë. Normalisht na ruan Zoti, vetja dhe qeveria. Tani kemi vetëm Zotin dhe veten tuaj. Ruani veten me sa të Këtë hendek për tmerrshëm ta kompensojmë sa të mundemi me një vetëdijësim më të lartë. Deri në 25 prill ta konsiderojmë shoqërinë jetime. Qeveria e ardhshme do të bëjë gjithçka”, tha Basha.
Kreu i opozitës u shpreh se Rama nuk duhet ta kishte bërë i pari vaksinën.
“Pak orë më parë isha me miq strategjik të Shqipërisë, më bënë një pyetje të thjesht çfarë do bëje po të ishe në këtë situatë. E para punës të gjitha financat e shtetit do i vija në funksion të kësaj krize. Testime të parat. Na bëjnë të gjurmojmë virusin. Dhe nëse i bie që Berati ku ka shkuar për cirkun e radhës rezulton që është më problematiku do merrja masa më të shtrënguara. Nëse X apo Y industri rezulton problematike do ta mbyllja pa diskutim që do të rimbursoja punonjësit për humbjet. Pra në bazë të informacionit që merret përmes testim gjurmim, izolimi, do të kryhej në mënyrë të tillë që jo e gjithë Shqipëria të kthehej siç është kthyer në një spital gjigand. Nuk ka nevojë të jesh ekspert të thuash këto. Mjafton të kesh pak zemër për vendin tënd dhe për njerëzit. Jo të vraposh të bësh vaksinën i pari, por të rrish në këmbë dhe të bësh vaksinën i fundit pasi ke siguruar me të gjitha mënyrat limitimin e dëmit. Nuk them që dëmi do të ishte zero, por do të limitohej. Pas zgjedhjeve, do kalojmë në nivelin më të lartë të testimeve në të gjithë rajonin”.
Basha: Ruani faturat për shpenzimet ndaj Covid, po punojmë për rimbursimin
Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë çdo faturë që kanë shpenzuar gjatë pandemisë për trajtimin e sëmundjes. Ai premtoi se me qeverisjen e tij do të bëhet gjithçka që të lehtësohet sa më shumë përgjegjësia ndaj qytetarëve. Basha foli për një plan rimbursimi, por nuk dha detaje.
“Deri më 25 Prill ta konsiderojmë shoqërinë jetime dhe të kujdesemi sa më shumë për njëri-tjetrin. Prandaj ju lus të merrni të gjitha masat, që nga maskat mbrojtëse, që nga higjiena, që nga distancimi. Për të gjithë ata që kanë mundësi financiare të bëjnë gjithçka për të zbatuar protokollet shëndetësore të rekomanduara dhe të ruajnë të gjitha faturat, sepse qeveria e ardhshme do të bëjë gjithçka, që borxhin ku iu ka zhytur papërgjegjshmëria e qeverisë e Ramës, mos të jetë gur në qafën tuaj, por të mundësohemi t’ua lehtësojmë sa më shumë dhe ta vemë në veprim pas 25 Prillit. Prandaj dokumentoni çdo shqetësim real të cilën kjo qeveri nuk e rimburson. Ju drejtohem në veçanti familjeve shqiptare”, u shpreh Basha.