Klasikja e Shqipërisë është e Tiranës. Bardheblutë e drejtuar nga Orges Shehi bënë në këtë ndeshje atë çka u kishte porositur trajneri i tyre, u sollën si kampionë në fuqi.
Ndeshja u hap shumë shpejt me një penallti të fituar nga Vllaznia që u kthye në gol nga Haris Dilaver por barazpesha u vendos nga Batha vetëm 3 minuta më pas.
Në vazhdim skuadrat u treguan ambicioze dhe me oreks për të gjetur avantazhin. Raste nga të dy palët për të shënuar por golat shmangen nga fati dhe aftësia e portierëve.
Në pjesën e dytë është Cale që i dha golin e fitores Tiranës pas asistit të Seferit.
Rezultati i arritur në minutën e 51’ nuk i bëri bardheblutë të tregoheshin më të matur. Tentuan sërish me Seferin por përballë portierit Zogoviç, sulmuesi e kishte të pamundur.
Kjo fitore për bardheblutë ndikon më së shumti tek morali i skuadrës, ndërsa në renditje mbeten në vendin e 6. Ndërsa Vllaznia rrezikon që të ketë më pranë Partizanin ose Laçin.
Në dy takimet e tjera të ditës Kastrioti barazoi pa gola me Apoloninë, ndërsa Bylisi fitoi në fushën e vetë ndaj Skënderbeut.