Në konferencën e përjavshme me titull “Ekonomia në fokus”, kryeministri i Edi Rama është shprehur se falë revolucionit dixhital, është krijuar pasaporta dixhitale e vaksinimit duke u parapërgatitur për mundësinë që edhe vaksinimi të mund të kthehet në kusht për udhëtimet jashtë vendit nga të tjerët.
“Sot që ne kemi hyrë në një proces shumë të komplikuar sa i përket nevojës për të garantuar transparencë dhe eficencë në fushatën e vaksinimit dhe ndërkohë që ne përgatitemi për të disponuar sasi të tjera vaksinash që do të kërkojnë intensitet të lartë vaksinimi, ne disponojmë falë revolucionit dixhital një sistem që garanton plotësisht transparencë dhe eficencë dhe kemi krijuar pasaportën dixhitale të vaksinimit duke u parapërgatitur për mundësinë që edhe vaksinimi të mund të kthehet në kusht për udhëtimet jashtë vendit nga të tjerët”, tha Rama.
“Na duhet mandati i tretë për të asgjësuar korrupsionin në administratë”
Rama renditi disa nga arritjet digjitale nga e-albania te pasaporta digjitale. Për Ramën, revolucioni digjital është vlerësuar edhe nga ndërkombëtarët. Sipas tij, procesi i fiskalizimit i nisur në janar do të reduktojë ekonominë informale, do të rrisë të ardhurat dhe do të ketë barazi të subjekteve para ligjit në raport me konkurrencën.
Kryeministri njoftoi se përveç shëndetësisë që do të vazhdojë të transformohet në këtë aspekt edhe dëftesat e nxënësve do të jepen online me vula elektronike. Ai tha se 38 shërbime shtetërore janë online për ata shtetas që janë jashtë.
Kreu i qeverisë kërkoi mandatin e tretë, pasi sipas tij duhet ende kohë për të asgjësuar korrupsionin që lidhet me këtë pjesë të administratës shtetërore.
“Edhe në shërbimet digjitale dhe krijimin e një shteti digjital duhet ende kohë. Jemi ende në një punë që duhet të vazhdojë, duhen edhe disa vite brenda mandatit të tretë që ne të kryejmë të gjithë ciklin dhe ta kalojmë në nivel tjetër Shqipërinë duke asgjësuar atë pjesë të korrupsionit që ka të bëjë me këto marrëdhënie dhe duke zgjidhur një tmerr të madh që lidhet me administratën e pasjellshme e ryshfetmarrëse dhe duke e kthyer në shërbim të qytetarëve”.