Mbetet shqetësuese situata e Covid-19 në vendin tonë, ku gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 19 viktima, duke e çuar në 1835 numrin e jetëve të humbura që prej nisjes së pandemisë.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat janë të moshave 47-87 vjeç, prej të cilëve; 10 qytetarë nga Tirana, 2 nga Elbasani e Berati, dhe 1 qytetar nga Lushnja, Durrësi, Kavaja, Fieri, e Mati.
I lartë është edhe numri i të infektuarve, ku gjatë 24 orëve të fundit me Covid-19 rezultojnë 892 qytetarë. Numri më i madh i të prekurve është shënuar në kryeqytet, me 374 raste të reja.
Në Fier janë 55 qytetarë të infektuar, në Vlorë 47, në Durrës 45, e ndjekur nga Shkodra me 30 raste të reja, Kruja e Berati me 26 raste të reja dhe Kavaja, Lushnja e Kuçova me 25 raste.
Edhe në spitale numri i të shtruarve sërish është i lartë, ku aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 650 pacientë, 42 në terapi intensive, nga të cilët 12 pacientë janë të intubuar.
Që prej nisjes së pandemisë në vendin tonë janë zbuluar mbi 108 mijë raste pozitive ndërsa rastet aktive janë rreth 35 800 persona, ku mbi 23 mijë janë vetëm në qarkun e Tiranës.
Muaji shkurt pati rreth 9 mijë raste më shumë se muaji janar ndërkohë që u regjistrua pothuajse dyfishim i viktimave. Në janar pati 20,676 raste dhe 199 viktima, ndërsa në shkurt 29,040 raste dhe 416 viktima.
Nga data 22 shkurt, kur nisi edhe rritja e numrit të viktimave, u regjistruan 7685 raste të reja si dhe 150 humbje jete.