Nga Aurenc Bebja*, Francë
“L’Indépendant des Basses-Pyrénées” ka botuar, të enjten e 27 prillit 1939, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me skenarin e dështuar të Duçes ndaj mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Skenari i dështuar
“Sipas disa informacioneve, pushtimi brutal i Shqipërisë nuk është gjë tjetër veçse dështimi i tmerrshëm i një skenari të mirëorganizuar.
Musolini kishte planifikuar të paguante disa udhëheqës dhe figura politike shqiptare në Tiranë për të tradhtuar mbretin Zog.
Tradhtarët, të paguar fare mirë, do të simulonin një sulm kundër mbretit të Shqipërisë. Atëherë, Zogu, i shqetësuar, do të kishte kërkuar mbrojtjen e Italisë, e cila me bujari do t’i ofronte mbrojtjen e saj miqësore.
Por ndërmjetësit italianë, përgjegjës për shpërndarjen e këtyre të hollave, preferuan të mbanin pjesën më të madhe të liretave për vete duke shpërndarë vetëm shuma të pakta, kështu shqiptarët, të mërzitur, nuk pranuan të merrnin pjesë në këtë lojë.
Duçja, i tërbuar nga ky dështim, mori vendimin të zgjidhte një pushtim ushtarak.
Shpirti i këtij komploti të trazuar, njeriu përgjegjës i kësaj melodrame të errët thuhet se është Konti Ciano…”
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania