Mjeku Tritan Kalo është larguar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, teksa ka theksuar se edhe kësaj here politika bëri të mundur përçarjen
“Turp e kaluar turpit”, kështu e ka konsideruar Kalo ndarjen sipas tij të mjekëve të cilët në këto kohë nuk duhet të ishin përçarë në varësi të interesave politikë, por duhet të bashkëvepronin për të mirën e qytetarëve.
Në deklaratën e tij, Kalo u shpreh se nga të gjithë anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve që u mblodh për mbajtjen në kontroll dhe mirëmenaxhimin e pandemisë, ai ishte i vetmi mjek pa një pozicion drejtues.
Sipas Kalos ishte politika ajo që i përçau mjekët dhe në sajën e saj janë krijuar tre komitete, ai i Qeverisë aktuale, ai i Presidencës dhe ai i Partisë Demokratike.
“Si kurdoherë edhe kësaj here “PORDHITIKA” e bëri të mundur t’i përçajë mjekët në qëndrimet dhe në kontributin e tyre, për t’u përballur me këtë “flamë mbarëbotërore”. Kemi ekzistencën e njëkohëshme të tre Komiteteve Zyrtare apo jo: 1- atë të Qeverisë aktuale, 2- atë të Presidencës/LSI-së dhe 3- atë të Partisë Demokratike, ose Opozitës në një term më të gjërë,” – shkroi mjeku Kalo.
Me këtë deklaratë e cila akuzonte politikën si shkaktare të “përçarjes së mjekëve” Tritan Kalo hoqi dorë nga bashkëpunimi zyrtar me Komitetin Teknik të Ekspertëve duke theksuar se ai nuk po heq dorë nga kontributi i tij, por shërbimin do e bëjë për ata që besojnë në punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij.
“Unë këtu jam dhe kurrë nuk do heq dorë nga kontributi, për tu shërbyer atyre që besojnë në punën, përkushtimin dhe profesionalizmin tim, por edhe për të dhënë ndihmesën time në mbarëvajtjen e punëve për t’u përballur me këtë pandemi, nëse një gjë e tillë do vijojë ende të më kërkohet”, përmbyll Kalo.