Ish-Presidenti francez Nicolas Sarkozy denoncoi vendimin e shpalljes fajtor për korrupsion, ndërsa tha gjatë një interviste televizive se ndaj tij ishte kryer një “padrejtësi e thellë” kur u dënua me tre vjet burg.
Një gjykatë franceze e dënoi të hënën 66-vjeçarin Sarkozy, pasi ishte përpjekur të korruptonte një gjyqtar dhe ushtronte ndikimin e tij pasi të largohej nga zyra në këmbim të informacionit në lidhje me një hetim mbi financimin e fushatës së vitit 2007. Sarkozy e apeloi vendimin.
Ai tha se gjatë hetimit 7-vjeçar për korrupsion nuk u gjet asnjë provë dhe shtoi se paanësia politike e disa hetuesve ishte e diskutueshme.
Ai i tha gazetës “Le Figaro” të martën se çështjen do ta çojë deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
“E vetmja gjë që unë kërkoj është zbatimi i ligjit, që ligji të zbatohet për mua, si me çdo person tjetër që i nënshtrohet sistemit të drejtësisë”, tha ai.
Sarkozy, një politikan konservator që e udhëhoqi Francën nga 2007 në 2012, u dënua me tre vjet burg. Sidoqoftë, dy vjet janë dënim me kusht dhe kryetari i trupit gjykues tha se ai mund të qëndronte jashtë burgut nëse monitorohej me një byzylyk elektronik për vitin e mbetur.
Politikanët e lartë të qendrës së djathtë të opozitës janë rreshtuar në mbrojtje të Sarkozy-së. Disa aleatë më parë shpresonin se ai mund të tërhiqej nga pensioni për të kandiduar për zgjedhjet presidenciale të vitit 2022.
“Para vendimit të gjykatës, unë kisha vendosur të mos kandidoja. Kam kthyer faqen e politikës”, tha ai, duke shtuar se më vonë do të njoftojë se kë po mbështet në fushatën presidenciale.
Sarkozy po gjykohet në një çështje tjetër në lidhje me financimin e paligjshëm të fushatës, vendim që pritet më vonë këtë muaj.