Të gjithë shtetasit europianë, që kanë jetuar në Britaninë e Madhe për të paktën 5 vite, do të përfitojnë të drejta të barabarta me shtetasit britanikë.
Kështu u shpreh kryeministrja Theresa May në propozimet e bëra publike të qeverisë britanike.
Statusi i ri për emigrantët do t’u ofrojë atyre të drejtën për të qëndruar në Britani dhe të kenë qasje në sistemin shëndetësor, atë të edukimit, si dhe përfitime të tjera pas “Brexit”-it. Por Theresa May tha se propozimet do të implementohen vetëm nëse të njëjtat të drejta do t’u ofrohen edhe shtetasve britanikë në shtetet e BE-së.
Planet në fjalë janë publikuar gjatë samitit të Këshillit të Europës në Bruksel.
Të mbërriturit pas datës së shkëputjes, por përpara datës së “Brexit”-it në mars të vitit 2019, do të kalojnë një periudhë “mirësie” prej dy vitesh, për të rregulluar statusin e tyre të emigrantit, me synimin për të përfituar në të ardhmen statusin e rregulluar që ka prezantuar May.