Ai ishte ndër të parët që arriti në Itali me anije më 7 Mars të vitit 1991 dhe nuk është shpërngulur kurrë nga qyteti që e mirëpriti.
Pjetrin Gjoni është sot mjek i “118-ës” në Itali dhe thotë se tashmë “unë hyj në shtëpitë e mijëra familjeve, sot po i kthej të gjitha ato që më ka dhënë Italia”.
Gjoni është sot 65 vjeç dhe punon si mjek në ballë të luftës kundër Covid në Brindizin që e mirëpriti.
Mjek në Shqipëri
Corriere della Sera shkruan historinë e mjekut i cili në kohën kur u largua ishte vetëm 34 vjeç, pediatër në Shqipëri dhe drejtor i një spitali rajonal.
“Unë isha 34 vjeç dhe mjek një pediatër, i emëruar drejtor i një spitali të vogël rural. Modeli komunist nuk funksiononte më dhe shumë gjëra duheshin ndryshuar. Në fakt, shumë në vendin tim menduan se pak do të ndryshonte, klasa e vjetër e pushtetit donte të mbante vendin pavarësisht nga fakti se njerëzit krijuan bazat për një ndryshim total. Ne e gjetëm veten në prag të një lufte civile në të cilën zgjidhja e vetme përfaqësohej nga ikja”, ka rrëfyer ai.
Më 7 Mars 1991, saktësisht 30 vjet më parë, Italia bëri lëvizje dramatike për herë të parë me fenomenin e emigracionit. Brenda 24 orësh 27,000 njerëz që largoheshin nga regjimi komunist mbërritën në portin e Brindizit.
Mekanik dhe student
Corriere po ashtu shkruan se nuk ishte e lehtë fillimisht për mjekun pasi Italia nuk e njohu gradën e marrë nga Gjoni në Shqipëri.
“Më takonte mua të provoja se kush isha gjithashtu sepse nuk mund të kthehesha. Në ato vite kam punuar në fusha, kam punuar si mekanik dhe si ndihmës për të moshuarit. Ishte mënyra për të paguar studimet e mia sepse ndërkohë isha ri-regjistruar në universitet. Më 17 Mars 1997 unë u diplomova në Bari me një tezë në virologji. Gruaja ime u bashkua me mua në Itali dhe sot ne kemi një djalë dhe unë jam një mjek nga 118 në Brindisi, një strukturë e ekselencës absolute”, tregon më tej ai.
I pyetur se si është jeta e tij sot në qytetin që e mirëpriti, Gjoni me humor tregon: “Gruaja ime më thotë me shaka se unë jam më i njohur se kryetari i bashkisë .. kaq shumë njerëz më njohin, ata më përshëndesin në rrugë. Puna ime më mbush shumë kohën. Vitet e fundit kam hyrë në shtëpitë e mijëra familjeve Brindisi, kam parë vuajtjet e tyre, i kam ndihmuar. Në këto muaj të Covid e gjithë kjo veprimtari është rritur, por lidhja është bërë më e afërt. Edhe unë u sëmura. Por sot mund ta vazhdoj punën time me më shumë besim. Për mua është mënyrë falënderimi për ata që më ndihmuan shumë vite më parë”.
I huaj në Shqipëri
Por sot që Shqipëria ka ndryshuar thellësisht shkruan Corriere, mjeku Gjoni thotë se e ngatërrojnë me ndonjë të huaj.
“Kur të kthehem në vendin tim, nuk ka më asnjë nga miqtë e mi. Shumë kanë shkuar në Kanada, shumë në Gjermani. Ndodh shpesh që ata të më ngatërrojnë mua për një të huaj. Tashmë unë besoj se Italia dhe Brindisi tani janë shtëpia ime. Unë do t’ju tregoj më shumë. Sot kam një djalë që jeton në Pisa, ai është një inxhinier kompjuteri dhe unë shkoj e shoh shpesh. Por gjatë kthimit, kur filloj të rishikoj peizazhin e Pulias, ullinjtë, fshatrat, e ndiej makinën sikur po fluturon, për të shkuar më shpejt në Brindisi… Po, kjo është tani shtëpia ime”, thotë mjeku Pjetrin Gjoni.