Përfshirja e Najada Çomos në politikë nuk do të bënte bujë nëse nuk do të ishim në pandemi. Politika gjithmonë ka gjuajtur në shëndetësi, duke marrë pranë saj mjekët më të spikatur, me integritet dhe të papërfolur nga masa.
Me fillimin e pandemisë, Infektivi u bë spitali i parë Covid, aty ku trajtohen rastet e rënda. Çomo ishte në krye të këtij shërbimi, më pas edhe drejtuese e dy spitaleve të tjerë, Covid 3 dhe Covid 4. Për çdo jetë të shpëtuar apo të humbur, meritat dhe përgjegjësitë të parat binin mbi të, mjeken që kryeministri e cilësoi komandanten e vijës së zjarrit.
Por pavarësisht angazhimit të saj më të ri në politikë, Najada Çomo do të jetë në krye të këtij shërbimi dhe pjesë e strukturave të shëndetësisë deri në zgjedhjen e saj si deputete. Pas 25 prillit, me një procedurë të veçantë, në vend të saj do të komandohet një mjek tjetër, pjesë e strukturës së Infektivit.
Për rektorin e Mjekësisë, Arben Gjata, largimi i Najada Çomos është një “ushtar” më pak në luftën me Covid-19, por jo i pazëvendësueshëm. Një ditë më parë, infeksionisti Tritan Kalo, i zhgënjyer nga kolegët, me argumentin e përçarjes nga politika edhe në këtë situatë pandemie, dha dorëheqjen nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Shijen jo të mirë që la qëndrimi i Kalos, duke tërhequr vëmendjen pak para prezantimit të Najada Çomos nga PS-ja, është përpjekur ta ndryshojë në orët e darkës ministrja e Shëndetësisë me kafen e saj.
Nuk dihet nëse Tritan Kalo do të jetë pasardhësi i Çomos, pasi në korrik ai ka njoftuar daljen në pension. Ndër pretendentët kryesorë mësohet të jenë Arjan Harxhi dhe Pëllumb Pipero, por titulli apo përvoja nuk mjaftojnë pa pëlqimin dhe firmën e ministres se Shëndetësisë.
Burimi: A2 CNN