Kryesore Lista e LSI për 25 prillin: Asnjë prurje e re dhe asnjë...

Lista e LSI për 25 prillin: Asnjë prurje e re dhe asnjë surprizë, përzgjidhen vetëm besnikët

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi prezantoi sot listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit.

Gjatë një konference Kryemadhi konfirmoi se do të kandidonte në 3 qarqe të vendit, në Fier, Elbasan dhe Tiranë, ndërsa në qarqet e tjera ajo është kujdesur për të vendosur vetëm njerëz besnikë.

Kryemadhi ka zgjedhur të rrezikojë me persona me profil të ulët publikë, por besnikë ndaj saj dhe LSI, duke shmangur shumë figura.

Bie në sy është fakti se nuk ka asnjë figurë të re si prurje të zonjës Kryemadhi, dhe asnjë figurë publike të shoqërisë civile.

Ajo që është e sigurt nga kjo listë është fakti se pavarësisht rezultatit, Kryemadhi deputetët e rinj do t’i ketë me vete si në pushtet, ashti edhe në opozitë

Në qarkun Tiranë, lista kryesohet nga Monika Kryemadhi dhe më pas vijnë Erisa Xhixho, Petrit Vasili, Klajda Gjosha dhe Përparim Spahiu. Në vend të 36 është renditur Brisida Shehaj ish-Drejtoreshë e Tatimeve në fillimet e qeverisë Rama që shihej si yll në ngjitje i Kryemadhit. Edmond Haxhinaston, sekretarin që hartoi programin e LSI-së, Kryemadhi e ka vënë në vend të gjashtë një pozicion jo fitues, ndërasa nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili, (nga Fieri në 2017), Kryemadhi e ka zhvendosur të tretin në Tiranë.

Në qarkun Vlorë, lista kryesohet nga Luan Rama. Ndërkohë kandidatë të tjerë janë Grisejda Myslimi, Dhimitraq Lapa, Dikens Bushaj dhe Ferdidand Aligjoni.

Në Shkodër, kandidati i parë në listë është Agron Çela, i cili pasohet nga Edmond Ndou, Lindita Reçi, Ilir Hyseni dhe Erlinda Kavaja.

Lista e qarkut Lezhë kryesohet nga Viktor Tushaj, Ertila Nikolli, Petrit Gjoni, Dila Prenga dhe Ded Ndreca.

Në qarkun Kukës janë në garë Erblin Bulica, Fiqirete Çelaj dhe Arbër Arifaj.

Listën e qarkut të Korçës e kryeson Endrit Braimllari, Gentian Çala, Brunilda Paskali, Petrika Mele dhe Thanas Poçi.

I pari në listë në Gjirokastër është Vangjel Tavo, dhe më pas renditen Myrvete Asqeri, Elton Ismaili, Albert Malaj dhe Erlad Alika.

Në qarkun e Fierit e para në listë është Monika Kryemadhi, më pas në listë janë Kejdi Mehmetaj, Klajdi Bogdanaj, Arben Çuko, Alma Malla dhe Ardian Alushi.

LSI ka zgjedhur si kandidat të parë në qarkun e Elbasanit, Monika Kryemadhin, Altin Toskën, Ermir Gjinishin, Vladimir Mukën dhe Sokol Skurën.

Në Durrës kandidatja e parë në listë është besnikja e Kryemadhit, Elona Guri, e cila pasohet nga ish-këshilltari Ilir Metës në Presidencë, Bahri Sha1iri, Enon Karapici, Shemsi Prenci dhe Kontjana Kuçi.

Në Dibër i pari në listë është Hajri Laçi, i cili pasohet nga Bledi Gurra, Luljeta Skura, Merita Hoxha dhe Borbardha Kaci.

Ndërsa, në qarkun e Beratit, i pari në listë është Ardit Çela. Më pas renditen Bledard Nonaj, Esmeralda Qirko, Petrit Sinaj dhe Ilir Oboni.