Bota Intervista e Harry dhe Meghan, Londra nën shok: Hiquni titujt mbretëror. Por...

Intervista e Harry dhe Meghan, Londra nën shok: Hiquni titujt mbretëror. Por në SHBA i mbrojnë

Të papranueshme akuzat për racizëm të lëshuara nga dukesha, Times e ashpër: “Duhet ta paguajnë”. Por mediat amerikane janë rreshtuar pro çiftit.

Mbretëria e Bashkuar është zgjuar sot e tronditur nga intervista e Harry dhe Meghan me Oprah Winfrey. Dy orë rrëfimi me zemër të hapur që i kanë dhënë një goditje të paprecedentë monarkisë. Ashtu siç shkruanin gazetat, pritej një lëshim granatash, por ata fundosën të gjithë flotën. Bomba bërthamore e lëshuar kundër Windsor ishte akuza për racizëm. Familja mbretërore ishte e shqetësuar se i vogli Archie, djali i dukëve Sussex, rrezikonte ta kishte lëkurën “tepër të errët”.

Ajo që ishte më e keqja ishte se Harry dhe Meghan nuk donin të zbulonin se kush ishte autori komenteve, duke lënë të spekulohej për të gjithë anëtarët e familjes mbretërore (edhe pse më vonë saktësuan se nën akuzë nuk ishte as Elizabeta dhe as Filipi).

Në një shoqëri multi-etnike si ajo britanike kjo është arma e fundit të botës: racizmi përjetohet si një njollë e papranueshme, të cilës askush nuk mund ti mbijetojë. Dhe jo rastësisht qeveria e Londrës menjëherë u distancua duke deklaruar se “nuk ka vend për racizëm në shoqërinë tonë”. Ndërsa laburistët shkuan më tej, kërkuan një hetim nga Buckingham Palace.

Por shpirtrat janë të trazuar. Sot në mëngjes, Times u hap me një koment me titull: “Sussex-at duhet të paguajnë çmimin për vendimin për të djegur urat”. Autorja e shkrimit kërkon që Harry-t dhe Meghan t’iu hiqen titujt mbretëror. Një këndvështrim që e kanë mbështetur shumë në mediat sociale. Nga ana tjetër e Atlantikut, reagimet kanë qenë kompakte. Amerikanët që janë edhe më të ndjeshëm në temën e diskriminimit racor, janë rreshtuar të gjithë në mbrojtje të Meghan. Yje të shumtë, nga Serena Williams deri te Amanda Gorman, kanë zbritur në fushë për të manifestuar zemërimin e tyre. Madje kjo frakturë kulturore mund të prekë lehtë edhe raportet mes Biden dhe Johnson. Ndërsa Pallati Mbretëror për momentin la heshtur. Por presioni për marrjen e një qëndrimi po rriten. Dhe është e vështirë që mbretëresha që ishte e informuar që më përpara për përbërjen e intervistës mund të qëndrojë e heshtur.