Presidenti Ilir Meta ka thirrur ditët e fundit në takime ambasadorët e OSBE dhe BE në Tiranë, Vincenzo Del Monaco dhe Luigi Soreca, për të diskutuar për zgjedhjet e 25 prillit.
Meta shkruan në Facebook se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo tentative për intimidimin, presionin dhe pengimin e pjesëmarrjes masive në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
“Thirra këto ditë në takime të veçanta Ambasadorët e OSBE dhe BE në Tiranë, Sh.T.Z Vincenzo Del Monaco dhe Sh.T.Z Luigi Soreca.
I informova rreth takimit, që zhvillova me shoqërinë civile për problematikat, që lidhen me procesin zgjedhor, përfshirë shtyrjen e afatit të kartave të identitetit dhe mundësimin e votimit për shtetasit e prekur nga COVID-19.
Theksova se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo tentative për intimidimin, presionin dhe pengimin e pjesëmarrjes masive në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Çdo individ, që do të përfshihet në skema të krimit zgjedhor, do të ndëshkohet me forcën më të rreptë të ligjit.
Vlerësova mesazhin e qartë të Bashkimit Europian se autorët e dosjeve 184 dhe 339 nuk do të amnistohen, njësoj siç nuk do të amnistohet askush tjetër, që do të guxojë të prekë votën e lirë më 25 prill.
Zgjedhjet e 25 prillit do të vendosin për fatet e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj të pakthyeshme europiane”.