Fitorja e zgjedhjeve dhe rikthimi i Joan Laporta-s në krye të Barcelonës kanë rizgjuar entuziazmin në klubin blaugrana dhe një ndër objektivat kryesorë të 58-vjeçarit është afrimi i lojtarëve cilësorë për të ndërtuar sërish një skuadër të madhe. Laporta ka si prioritet gjithashtu edhe mëkëmbjen e klubit në aspektin financiar pas pandemisë së koronavirusit dhe keqadministrimit të fondeve nga ana e grupit të fundit drejtues, që njollosi keqas në historinë e Barçës, presidentin e 40 të klubit Josep Maria Bartomeu.
Presidenti i sapozgjedhur i ka idetë të qarta dhe po planifikon që tani përforcimin e skuadrës. Dy emra përputhen plotësisht me politikën e re të klubit. E përditshmja spanjolle Mundo Deportivo, që mbetet gjithmonë shumë e vëmendshme ndaj zhvillimeve në kampin blaugrana, ka nxjerrë në dritë emrat e Alabës dhe Agueros. Të dyve iu përfundojnë kontratat respektive me Bajernin e Mynihut dhe Mancester Sitin më datën 30 qershor, kështu që bëhet fjalë për dy futbollistë që do të transferoheshin në “Camp Nou” me koston zero, teksa për më tepër Alaba dhe Aguero e kanë shprehur qartë dëshirën e tyre për të veshur fanellën me ngjyrat e famshme të klubit nga Katalunja.
Menaxherët e mbrojtësit të ekipit bavarez ishin javën e kaluar në qytetin e Barcelonës dhe nga sa zbulon Mundo Deportivo, palët u takuan dhe arritën një pakt verbal. Ndërsa Aguerro do të ishte tepër i kënaqur të luante në krah të bashkëkombësit të tij dhe mikut të tij, Lionel Messi.
Pas largimit të Luis Suarezit drejt Atletikos së Madridit, Barcelona nuk ishte në gjendje për ta zëvendësuar numrin 9, për më tepër krerët e klubit kanë gjithashtu edhe misionin e vështirë për të bindur Messin që të qëndrojë, me një projekt ambicioz për të ardhmen, ndërkohë nga City pritet edhe qendërmbrojtësi Eric Garcia. 20-vjeçari ka dalë pikërisht nga skuadrat zinxhir të Barçës dhe mbrojtësit të lindur pikërisht në qytetin e Barcelonës i përfundon kontrata me “citizens” në fundin e muajit qershor.