Të mbash mbiemrin e një prej pilotëve më të mëdhenj të historisë së Formula 1 sigurisht që rrit së tepërmi presionin mbi një pilot, por Mick Schumacher ndien vetëm krenari.
21-vjeçari, djali i 7-herë kampionit të botës, Michael, po përgatitet për sezonin e parë në F1, saktësisht 30 vite pasi babai i debutoi në Spa në vitin 1991. Gara e parë e Schumacher do të jetë me skuadrën American Haas në Çmimin e Madh të Bahrejnit, më 28 mars. Piloti e kupton fare mirë që të gjithë sytë e botës së garave me makina do të jenë mbi të.
“Mendoj se më shumë ndikojnë pritshmëritë që unë kam për veten time”, thotë ai për CNN. “Sigurisht që dua të paraqiten mirë, por gjithashtu është një privilegj i madh për mua që rikthej mbiemrin Schumacher në Formula 1 edhe një herë, dhe që e kam të shkruar mbi makinën më të cilën do të dal në pistë”.
Ai përgatitet për këtë moment thuajse që kur ka lindur. Që nga mosha 2-vjeçare, ai garonte në kopshtin e shtëpisë me makina go-kart dhe kur ishte 11 vjeç e kishte ndarë mendjen që do të bëhej profesionist. Për të shmangur presionin, fillimisht garoi me mbiemrin e të ëmës, Betsch, me të cilin arriti të ngjiste shkallët e garave të moshave në Europë.
“Më dha mundësi që të garoja pa u kapur nga radarët”, thotë Mick. “Kështu që isha në gjendje të rritesha dhe të hidhja hapat e duhur në kohën e duhur. Nuk më duhej të nxitoja, nuk kisha shumë vëmendje nga media, diçka shumë pozitive, sepse në këtë mënyrë isha thjesht një fëmijë që shijonte garat”. Vetëm kur arriti në Formula 4, ai vendosi që të përdorte mbiemrin Schumacher, pasi mediat tashmë e kishin kuptuar se kush ishte. “Ishte koha e duhur për ta bërë”, thotë ai.
Kur Michael Schumacher ishte në kulmin e formës së tij, te Ferrari, Mick ishte shumë i ri për të kuptuar sa madhështor ishte babai i tij. Për të, ishte thjesht “babi”. Por teksa vitet kalonin ai nisi të kuptonte vlerën e të gjitha mësimeve që i jepte i ati. Sot, ai sheh shumë nga teknikat e babait edhe në stilin e tij të pilotimit dhe nuk ka frikë nga krahasimet. “Mendoj se kemi ca dallime, por edhe ngjashmëri”, shpjegoi Schumacher. “E krahasoj veten me të, kur ishte në kulmin e formës së tij te Ferrari dhe fitonte titujt kampion. Por më bën mirë edhe të krahasohem me të kur nisi karrierën në F1… Sigurisht që babai im është më i miri dhe do të jetë gjithmonë më i miri. Ndihem i privilegjuar që kam mundësi të krahasohem me të dhe të mësoj nga ato që ai ka bërë dhe nuk ka bërë”.
Mick është pjesë e Akademisë Ferrari, skuadrës me të cilën babai i tij është bërë “njësh”. Nëse do t’ia dalë të ulet ndonjëherë në atë makinë, kjo do të shihet në vijim. Por në fund të muajit, në Bahrejn, ai do të realizojë ëndrrën e parë, debutimin në Formula 1. “Do të jem pak nervoz, por mendoj se jam shumë i përgatitur”, thotë Mick. “Do të jetë shumë argëtuese”.