Shfaqjen e Presidentit Ilir Meta “në mbrojtje” të zyrave të Frymës së Re Demokratike, kryeministri Edi Rama e sheh si çrregullim të rëndë të kreut të shtetit.
“Një shfaqe që është klinikisht e rëndë dhe që natyrisht kërkon solidaritet njerëzor me këdo qoftë jo më me dikë që është Presidenti i Republikës dhe ka çrregullime të rënda”, tha Rama sot.
Kryeministri Rama tha se opozita është e nervozuar nga pasiguria që ka për 25 Prillin, siç e theksoi edhe teksa ishte në shkollën “4 dëshmorët” ku ishte për vaksinimin dhe disa mbështetës të opozitës hodhën parulla kundër tij.
“Vaksinën për tërbimin nuk e kemi, për fat të keq. Do të na duhet që të jetojmë në këtë periudhë me shfaqet tërbimi të kësaj natyre”.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, reagoi sërish për këtë incident gjatë një takimi me artistët në lagjen 13 në Tiranë.
“Dje ishte një situatë për të ardhur keq. Në ditën e zgjedhjeve, Trifoni del në pension. Kur mendoj se në prag të pensionit vjen ta rrahë Presidenti i Republikës, ndërkohë që ai ruan një institucion, Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Burimet Njerëzore të Bashkisë Tiranës, është një mënyrë shumë e shëmtuar për të përcjellë në pension një burrë zotëri”.
Veliaj tha se në katin e tretë të godinës ka ndodhur një zaptim nga FRD, pasi këtij subjekt politik i ka mbaruar kontrata dhe po qëndron aty në kundërshtim me ligjin. Por presidenti Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike Basha akuzuan qeverinë se po dhunon përfaqësuesit e opozitës, vetëm për qëllime politike.