Një incident ka ndodhur në kremtimin e Ditës së Verës në Elbasan. Sapo kryeministri Edi Rama hyri në bulevardin kryesor, një grup personash të cilët ishin mbledhur për të pritur kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha kanë thirrur “Rama ik”.
Kjo ka shkaktuar reagimin e mbështetësve të socialistëve duke krijuar një situatë të tensionuar.
I pyetur për këtë incident, kryeministri Rama u shpreh se me Bashën nuk është armik dhe se nuk ka arsye përtej betejave dhe ballafaqimeve politike të ndodhë kështu.
Ndërsa në një koment në Twitter, Rama shkroi se kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut dhe Ilirit, që duan sherr e përçarje, për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë!
“Tash 20 vjet që vij në ditën e verës në Elbasan, s’kisha parë një turmë ulëritëse me flamuj partie, si ai automobili zhurmues i filmit “Koncert në vitin 36”! Dukeshin si 100 kopje të Ilir Metës, ndërsa Luli kishte parkuar makinën në korsinë e biçikletave e ishte fshehur mes tyre! Kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut&Ilirit, që duan sherr e përçarje, për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë!Keqardhje e madhe për PD e kthye në vegël e dy hallexhinjve të drejtësisë”, shkruan Rama.
Ndërkohë Lulzim Basha deklaroi se e kishte planifikuar prej kohësh në orën 10:00 takimin. Ai u shpreh se kreu i qeverisë shoqërohej nga bandat në takim.
Basha tha gjatë prononcimit për gazetarët se kryeministri u shoqërua nga banditë me pistoleta me vete. Mbërritjen në të njëjtën kohë me kreun e qeverisë në Elbasan, Basha e konsideron si provokim nga ana e Ramës.
“Më thanë që pati një incident. Unë do vazhdoj me axhendën time dhe nuk do ndaloj. Nuk ndjekim axhendën e dhunës. E kemi ditë feste me qytetarinë e Elbasanit. Unë nuk mund të ndalem sepse Shqipëria dhe Elbasani janë ndaluar mjaftueshëm këto 8 vite. Është ditë feste, është ditë shprese. Është dita kur dielli vazhdon të shndrisë dhe do të shndrisë më shumë pas 25 Prillit, kur të bëhemi të gjithë bashkë për ndryshimin. Për një kohë shumë të gjatë ky qytet është mbajtur në vend numëro pikërisht nga ushtruesit e dhunës sot, nga bandat dhe banditët e Elbasanit që njihen me emër dhe mbiemër. Ky qytet është mbajtur peng nga bandat që shoqëronin kryeministrin në ikje me pistoletë në brez.
Unë kam qenë deputet i qytetit të Elbasanit dhe e di që ata nuk e duan dhunën dhe mezi presin ditën e ndryshimit. I them kryeministrit mos guxo të kërcënosh qytetarët e Elbasanit me banditët që të rrethonin me armët e paligjshme në brez. 14 Marsi është dita e luleve kur vera dhe pranvera e mposht dimrin Të bëhemi bashke për ndryshimin që duan të gjithë qytetarët e Elbasanit. Thirrja ime është kundër dhunës dhe kundër provokimeve të dhunës. Nuk ka shans që Edi Rama dhe bandat e tij të mbajnë peng Elbasanin. Ju uroj nga zemra gëzuar ditën e Verës. Unë e kisha planifikuar në orën 10. Nuk e dija që edhe kryeministri kishte të njëjtin orar. Turpi qëndron në provokimin dhe ardhjen në qytet në shoqërinë e bandave. Unë jam shoqëruar nga familjet e vjetra të Elbasanit, intelektualët e Elbasanit, ky është modeli im ky është modeli i PD-së. Rama shoqërohej nga bandat”, tha Basha.
Rama: Lulzim bëhu burrë, ndahu nga Likja dhe Saliu
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale pas incidentit që ndodhi në Elbasan ku u përplasën disa qytetarë. Kreu i qeverisë hodhi akuza të drejtpërdrejtë ndaj kreut të PD-së duke i thënë se është bërë manekin. Akuzat e kundërshtarit të tij për banda dhe kriminelë, Rama i konsideron si përçartje ndërkohë që i bën thirrje që të ndahet nga Meta dhe Berisha.
“Lulzim je bërë një manekin qesharak i pengmarrësve të tu dhe pasi shkon në festën e popullit të Elbasanit me flamuj partie e me një turmë ulëritësash, flet përçart për banda e për kriminelë! Ndahu nga Likja e Saliu, këpute zinxhirin e Monikës, se lider s’je dot po bëhu pak burrë”, shkruan Rama.