Nëse doni të bëheni sipërmarrës dhe të hapni një biznes, atëherë duhet të dini se në cilat lloje biznesesh fitohet më shumë dhe ku është rrisku më i ulët. INSTAT ka publikuar të ardhurat dhe fitimet për 31 aktivitete ekonomike kryesore në vend për vitin 2019. Në krye të listës, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor qëndrojnë pasuritë e paluajtshme.
1- Pasuritë e paluajtshme
Me një normë fitimi prej 25%, nga gati 19% që ishte një vit më parë në 2018-n. Të dhënat zyrtare të INSTAT bëjnë të ditur se në tremujorin e dytë 2020, aktiviteti i pasurive të paluajtshme arriti një nivel historik të lartë, të paktën që nga fillimi i vitit 2008, kur raportohen të dhënat.
2- Shërbimet profesionale
Në 2019-n ky aktivitete rezultoi me një normë fitimi prej 23%, nga 15.3% vitin e mëparshme. Ndërkohë shumë profesione të lira kanë hapur subjekte dhe janë shkëputur nga punëdhënësit, për shkak të tatimit të lartë mbi pagat mbi 150 mijë lekë.
3- Letra dhe shtypshkrimet
Sipas INSTAT, norma e fitimit të këtij aktiviteti ishte 18.9% në 2019-n, nga 12.8% një vit më parë.
4- Posta dhe magazinimi
Ky shërbim mori një dimension të ri pas zhvillimit të tregtisë online. Sipas INSTAT, ai rezulton sektori i katërt më fitimprurës në vend, me një normë prej 17.6% në 2019-n, ndonëse në rënie, në raport me 20.6% vitin e mëparshëm.
Sektorë të tjerë fitimprurës
Listën e aktiviteteve fitimprurëse e vijojnë shërbimet e informacionit, me kthim 17.1%. akomodimi ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të performancës, me kthim 20%, nga 2% vitin e mëparshëm, teksa 2019-a ishte viti më i mirë historik për turizmin, me mbi 6.2 milionë shtetas të huaj që hynë në vend. Shëndetësia është një tjetër aktivitet i mirë (13.7%), sidomos pas pandemisë.
Shërbimet ushqimore (baret e lokalet) fitojnë mesatarisht 11.3%. Biznesi i tregtisë, me pakicë, më i përhapuri në vend, ka një kthim mesatar prej rreth 10%.
Bizneset që fitojnë më pak
Agjencitë e udhëtimeve, që kryesisht marrin komisionet e biletave, kanë një fitim të ulët prej rreth 4.1%. Tregtia me shumicë ka një normë fitimi prej 4.1%, por ky aktivitet punon me marzhe të ulëta për shkak të volumeve të mëdha që qarkullon. Vetëm dy sektorë ishin me humbje në 2019-n, ai i furnizimit me ujë (-0.2%), për shkak të situatës së rënduar të ujësjellësve dhe i inxhinierive të tjera përpunuese (-7.9%).