Bota Si një histori filmash, NATO në kërkim të nëndetëses ruse që e...

Si një histori filmash, NATO në kërkim të nëndetëses ruse që e “provokoi” gjatë stërvitjes në Mesdhe

Një histori filmash, por që po ndodh vërtetë qindra kilometra nën sipërfaqen e Mesdheut. Pothuajse të gjitha forcat detare të NATO-s janë prej tri javësh të angazhuara në kërkimin e një nëndetëseje ruse, që fshihet në thellësitë ujore.

Nuk bëhet fjalë për një mjet të zakonshëm, por për nëndetësen e klasit Kilo, “Rostov mbi Don”, ndoshta mjeti më i avancuar i forcave detare ruse.

I pagëzuar nga forcat amerikane si “Vrimë e Zezë”, nga fakti që duket sikur humb nga radarët perëndimorë për shkak të zhurmës pothuajse të paperceptueshme dhe mundësisë të udhëtojnë për 740 kilometra pa dalë mbi ujë, mjeti i gjatë rreth 70 metra ka mundësi të hedhë raketa të tipit Kalibr, tri herë më të shpejtë se shpejtësia e zërit.

Nëndetësja ruse është nisur nga deti Baltik tri javë më parë dhe pavarësisht monitorimit të anijeve britanike fillimisht, dhe më pas franceze, ka arritur qetësisht në Spanjë, duke iu afruar në mënyrë provokuese zonës ku po zhvillohet një nga stërvitjet e mëdha të NATO-s, pikërisht mbi parandalimin e aktiviteteve armiqësore nënujore, e quajtur Dynamic Manta.

Nëndetësja ka vijuar me një trajektore zigzag shumë pranë brigjeve të Maltës dhe Tunizisë, dhe aty ka filluar një “gjueti” nga mjete amerikane, britanike, italiane dhe greke, por gjithmonë nëndetësja ka humbur gjurmët, duke iu drejtuar me shumë mundësi Sirisë ku parashikohej të përfundonte udhëtimin e saj.

Ngjarja ka një rëndësi të veçantë nga fakti që shënon pikën kulmore të një rikthimi të fuqishëm të flotës ruse në Mesdhe, pas një mungese pothuajse 25-vjeçare. Deri më tani, forcat e NATO-s e kanë toleruar disi diçka të tillë, por ndoshta administrata Biden ka vendosur t’i japë një sinjal Kremlinit që manovra të tilla nuk do të lihen më pa përgjigje.