Kryesore “AstraZeneca po aq efikase sa vaksina e Pfizer”, Kalo: Thjesht po ndëshkohet...

“AstraZeneca po aq efikase sa vaksina e Pfizer”, Kalo: Thjesht po ndëshkohet Britania

Një debat ka përfshirë shumë shtete lidhur me përdorimin e vaksinës AstraZeneca. Një pjesë e shteteve e kanë pezulluar, ndërsa pjesa tjetër ku përfshihet edhe Shqipëria vijojnë injektimin e dozave.

Në Shqipëri, strukturat e shëndetësisë, por edhe kryeministri Edi Rama kanë garantuar se dozat që ka marrë Shqipëria janë një tjetër seri nga ajo që janë shfaqur probleme në disa shtete në Europë.

Por çfarë thonë mjekët?

Mjeku i njohur Tritan Kalo e cilëson gjithë debatin politik, ndëshkim për Britaninë post-Brexit, pasi sipas tij vaksina AstraZeneca është po aq efikase sa edhe Pfizer.

“Së pari është katër herë më e lirë se Pfizer- Biontech, së dyti ruhet si vaksinat e tjera dhe jo në -80 gradë si Pfizer-Biontech, së treti është pothuajse po aq efikase sa vaksina e Pfizer-Biontech… Në mbyllje, është thjesht një ndëshkim i Britanisë post-brexit…. Politikë përtej arsyes e nevojave njerëzore”, thotë doktori i njohur.

Kush po i prodhon vaksinat e AstraZeneca?

Vaksina u zbulua nga një ekip nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania farmaceutike britaniko-suedeze, AstraZeneca. Ekipi hulumtues përfshin shkencëtarë nga Instituti Jenner dhe Grupi i Vaksinave të Oksfordit.