Kryeministri francez Jean Castex premton se do të zgjedhë vaksinën e AstraZeneca për injektim, sapo ajo të marrë dritën e dytë të gjelbër nga Agjencia Europiane e Barnave. Në një intervistë televizive, Castex se do ta kryente publikisht vaksinimin për të hedhur poshtë çdo dyshim mbi efektet anësore të kësaj vaksine.
“Deri më tani kam dashur që të vaksinohem pa kapërcyer radhën, pa shfrytëzuar asnjë privilegj. Por duke marrë parasysh atë çfarë ka ndodhur së fundi me AstraZeneca-n mendoj që injektimin ta kryej publikisht shumë shpejt”, tha kryeministri.
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron u konsideroi si tepër pozitiv vlerësimin paraprak të drejtores së Agjencisë Europiane të Barnave EMA të Martën, se vaksina AstraZeneca nuk ishte shkaktare e rasteve të trombozave tek disa të vaksinuar në vendet europiane.
Komisionerja europiane për Shëndetin tha se është në pritje të vlerësimit përfundimtar të kësaj Agjencie që do të jepet të Enjten, për të rekomanduar rinisjen e vaksinimit në gjithë vendet e Bashkimit Europian me dozat AstraZeneca.
Gatishmërinë për të rinisur vaksinimin e kanë shprehur thuajse të 18 vendet që e kanë pezulluar pjesërisht ose plotësisht imunizimin me këtë vaksinë. Rastet e trombozave tek 5 milionë të vaksinuarit me AstraZeneca në vendet e BE-së janë në një nivel të papërfillshëm prej 0.0006%.
Kjo vaksinë pritet të marrë miratimin për përdorim urgjent edhe në Shtetet e Bashkuara. Firma britaniko-suedeze është furnizuesja kryesore e nismës Covax prej të cilës përfiton edhe Shqipëria.