Kreu i opozitës Lulzim Basha ka ftuar partitë politike të mbajnë duart larg Reformës në Drejtësi. Gjatë një bisede online që zhvilloi me Komisionerin e BE-së për Buxhetin dhe Administratën Johanes Hahn, kryedemokrati shprehu gatishmërinë se nuk do të ketë asnjë pengesë për zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi nga parlamenti i ardhshëm dhe qeveria e tij.
“Kontributi i vetëm që partitë politike mund të japin që reforma në drejtësi të ketë suksesin e plotë është të qëndrojnë larg, të mbajnë duart larg reformës në drejtësi. Dhe kjo shpresojmë se do të sjellë rezultate për të cilat kemi filluar këtë proces në vitin 2016, i cili përkthehet në gjykatës dhe prokurorë të pavarur që nuk mbrojnë por ndëshkojnë krimin dhe korrupsionin në nivelet më të larta”.
Pavarësisht mangësive në këtë proces, Komisioneri Han vlerësoi rrolin e opozitës, duke vënë theksin tek sundimi i ligjit, një nga detyrat që Shqipëria duhet të përmbushë për të qenë pjesë e BE-së.
“Ishte rasti kur për hir të interesave kombëtare ju si opozitë bëtë kompromis me qeverinë dhe sigurisht toleruat disa mangësi me qëllim që të realizohej reforma dhe kjo ishte e jashtëzakonshme. Dhe e them sërish e sërish se kjo për Ballkanin Perëndimor është e pazakontë. Në rast se një qeveri e re shqiptare do të jetë shumë e angazhuar ky do të ketë një impakt të konsiderueshëm. Unë mund t’ju mbështes në të gjitha përpjekjet tuaja dhe mund t’ju konfirmoj se kjo është shumë e rëndësishme.”
Basha e njohu komisionerin Hahn dhe me planin e Partisë Demokratike për përmbushjen e kushteve me qëllim zhbllokimin e procesit të integrimit, vijimin e luftës kundër krimit e korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e procesit te rindërtimit në mënyrë transparente.