Bota A mund t’i humbasin zgjedhjet parlamentare konservatorët e Gjermanisë?

A mund t’i humbasin zgjedhjet parlamentare konservatorët e Gjermanisë?

CDU/CSU është për herë të parë në rrezik të mos jetë në qeveri pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Ndëshkimi në dy zgjedhje rajonale qe i rëndë. Por beteja për konservatorët nuk është e humbur, shkruan Auron Dodi.

Po të deklaroje pak muaj më parë se CDU/CSU nuk do të jetë në qeverinë e ardhshme të Gjermanisë pas zgjedhjeve parlamentare në shtator, do të tingëllonte absurde. Tani kjo është e mundur. Është padyshim ndëshkim i rëndë vota e fundit për partitë konservatore që qeverisin Gjermaninë. Në zgjedhjet në dy lande federale, të dielën CDU mori rezultatet më të dobëta pas Luftës së Dytë Botërore.

Në Baden-Vyrtemberg, të cilin CDU-ja e qeverisi nga viti 1953-2011, ajo mori 24.1 përqind – 2,9 përqind më pak se 5 vjet më parë. Këtu fituan sërish të Gjelbrit. Në Rajnland-Pfalc, kështjella e ish-kancelarit Helmut Kohl, CDU mori 27,7 përqind – 4,1 përqind më pak se pesë vjet të shkuara. Këtu fituan sërish socialdemokratët. Në sondazhet nacionale, CDU/CSU arrin tani 30 përqind, nga 38 përqind që kishte vjeshtën e kaluar.

Shkaqet për ndëshkimin e rëndë nga zgjedhësit

Shkaku për goditjen e fortë ndaj CDU-së është zhgënjimi në popull me performancën e qeverisë në fazën e dytë të pandemisë. Qeveria, partitë konservatore në të, bëhen përgjegjëse që Gjermania nuk ka numër të mjaftueshëm vaksinash. Nga shumë njerëz konsiderohet gabim që Gjermania ia la në dorë Brukselit, me procedura tepër burokratike prokurimin, blerjen e vaksinave. Porositja me vonesë e vaksinave dhe si rrjedhojë mungesa e tyre edhe në Gjermani është një faktor pse ritmi i vaksinimit është shumë i ngadaltë.

Qeveria ndëshkohet edhe për pakënaqësinë për rreth katër muaj mbyllje të jetës publike. Mbyllja solli padyshim rezultate, por ato nuk sollën kthesën vendimtare. Fundi i pandemisë tani nuk po duket. As vijnë në diskutim heqje të tjera kufizimesh, përkundrazi, të hënën (22.03.) pritet vazhdimi e ndoshta ashpërsimi i kufizimeve ekzistuese.

Qeveria u ndëshkua në dy zgjedhje rajonale edhe për vonesat e mëdha në kompensimin e firmave të goditura nga pandemia. Por dhe për faktin që disa deputetë konservatorë mendohet se janë pasuruar duke ndërmjetësuar shitjen e maskave anti-Covid. CDU/CSU i detyroi këta deputetë të braktisin si mandatin, ashtu edhe partitë.

Megjithatë ka njerëz që pyesin nëse qëndrimi kaq gjatë në pushtet i CDU/CSU-së, katër mandate, ka kompromentuar edhe politikanë të tjerë, jo vetëm konservatorë.

Tani është e qartë se në zgjedhjet parlamentare në shtator, fatin e CDU/CSU-së do ta vendosë nota për menaxhimin e pandemisë.

Koalicionet e mundshme qeveritare pa CDU/CSU

Që të jemi të qartë: për qeverinë e ardhshme të Gjermanisë, këtë moment, ende më i mundshmi konsiderohet një koalicion i CDU/CSU me Të Gjelbrit. CDU/CSU me 30 përqind dhe Të Gjelbrit, me 18-20 përqind. Vetëm se kjo tani nuk është e sigurtë.

Të vetmit që janë të sigurtë që do të jenë në qeveri janë Të Gjelbrit. Kjo sepse pas këtyre zgjedhjeve rajonale, Të Gjelbrit mund të jenë parti kryesore në konstelacione pa konservatorët. Vota të mjaftueshme për të formuar qeverinë nacionale në fund të shtatorit mund të kenë edhe dy koalicione të tjera.

I pari, një koalicion midis Të Gjelbërve, Socialdemokratëve dhe liberalëve të FDP-së. Po u krijua ky koalicion në Baden-Vyrttemberg, ai mund të shtojë vetëbesimin e të Gjelbërve si parti kryesore dhe të bëhet model edhe për federatën.

Koalicioni i dytë i mundshëm është midis Të Gjelbërve, dhe socialdemokratëve të SPD, që janë parti e qendrës së majtë dhe partisë E Majta, që është parti ultra e majtë.

Ky koalicion i dytë do të ishte një aleancë më radikale. Pasi edhe Të Gjelbrit, të dalë dikur nga partia socialdemokrate, kanë ende një krah të fortë të majtë. Një aleancë e tillë do të ndihej edhe nga Evropa. E mundur është që ajo të mbante qëndrime të ndryshme nga qeveria aktuale gjermane: p.sh. qëndrime më të afërta me Rusinë dhe distancim nga Kina. Në politikën financiare, një konstelacion i tillë do të ishte më pak kursimtar, ndërsa në veprimet në mbrojtje të klimës, më i vendosur.

Kryeministra landesh federale me maska

Si mund ta kthejë situatën në dobi të saj CDU/CSU-ja?

Për ta kthyer situatën në dobi të tyre, konservatorëve u duhen veprime çliruese. Në të kaluarën, kancelarja Angela Merkel ka gjetur zgjidhje të papritura në situata të vështira. Kujtojmë marrëveshjen e papritur të vitit 2016 me Turqinë, për refugjatët që vinin drejt Evropës. Ose  pranimin e papritur të futjes së Gjermanisë në borxhe për Evropën në vitin 2020, me bondet për Fondin e Rindërtimit të Koronavirusit, kur BE kërcënohej nga shpërbërja prej goditjes nga pandemia.

Këtë herë do të nevojiteshin disa veprime. Qeveria duhet të arrijë p.sh. suksese me vaksinimin. Që njerëzit të kenë ndjesinë se konservatorët u ofrojnë perspektivë. Një rrugë e mundur do të ishte vaksinimi më i gjerë edhe më i shpejtë. Për këtë nevojiten më shumë vaksina.

Merkel: vaksinim me Sputnik V edhe pa aprovimin e BE

Një ndihmë në këtë drejtim mund të ishte licencimi i vaksinës ruse Sputnik V në Gjermani e në BE. Në takimin e së premtes (19.03.) me kryeministrat e landeve federale, kancelarja Merkel tha se Gjermania mund ta përdorë vaksinën ruse Sputnik V në pritje të miratimit të EMA-s. Ajo tha se Berlini do të urdhërojë përdorimin edhe nëse BE nuk e bën këtë. Tre kryeministra landesh, ai i Berlinit, i Saksonisë dhe ai i Bavarisë kërkuan këtë javë licensimin e kësaj vaksine, edhe në BE dhe në Gjermani. Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder tha se, sipas të gjitha ekspertizave shkencore, Sputnik V është vaksinë shumë e mirë. Ai kërkoi që BE të përshpejtojë licensimin dhe marrëveshjet me prodhuesit.

Të enjten (18.03.) Autoriteti Evropian i Medikamenteve, EMA e konfirmoi se AstraZeneca është vaksinë e mirë dhe e sigurtë. Rastet me trombozë shihen si raste të izoluara.  Veç kësaj, mjekë gjermanë në Greifswald njoftuan spitalet e Evropës se zbuluan një mënyrë për trajtimin e trombozave të tilla të rralla, në rastet e pakta kur ato mund të shfaqen pas vaksinimit. Mbrëmë, Astra Zeneca u rilejua edhe në Gjermani, gjë që do të përshpejtojë fillimin e vaksinimeve më masive nga mjekët e familjes.

Njëkohësisht, kryetari i ri i CDU-së, Armin Laschet duhet të paraqesë ide të fuqishme për të ardhmen e Gjermanisë. Fillimin e detyrës ai e ka shumë të vështirë. Pas rezultatit deziluzionues në dy zgjedhjet rajonale Lascheti tha se “nuk është e përcaktuar nga Zoti, që ne do të jemi partia e kancelarit të ardhshëm”, për këtë duhet luftuar. Ai ka deklaruar se në fund të marsit do të nisë hartimi i programit elektoral të partisë për zgjedhjet parlamentare të 27 shtatorit. Kryetari i CDU-së synon të përfshijë në të ide të ekonomisë, sindikateve dhe shoqatave profesionale, për ta bërë programin sa më përfaqësues. /DW