Bota Koronavirusi rriti ngacmimet ndaj aziatikëve, Biden-Harris zotohen se do të luftojnë racizmin

Koronavirusi rriti ngacmimet ndaj aziatikëve, Biden-Harris zotohen se do të luftojnë racizmin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe zëvendëspresidentja, Kamala Harris, kanë dënuar racizmin dhe janë zotuar se do ta luftojnë atë, teksa ngushëlluan banorët e Atlantës, disa ditë pasi një person i armatosur vrau tetë persona, gjashtë prej tyre gra aziatike.

Kreu i shtetit amerikan tha se ka pasur një numër gjithnjë e më në rritje ngacmimesh dhe dhunës ndaj aziatikëve.

“Ne duhet të flasim, duhet të veprojmë që të luftojmë këtë ringjallje të ksenofobisë”, deklaroi Biden pas diskutimeve me komunitetin aziatiko-amerikan në shtetin e Xhorxhias.

Edhe pse nuk përmendi ish-presidentin Trump, Biden tha se fjalët kanë pasoja dhe kjo lidhet me koronavirusin.

“Amerikanët po mësojnë përsëri atë që kemi e kemi ditur gjithmonë, fjalët kanë pasoja. Bëhet fjalë për koronavirusin, pikë”, shtoi ai.

Ish-presidenti Trump shpesh kritikohej për deklaratat e tij të vazhdueshme, në të cilat e quante koronavirusin e ri si “virusi i Kinës”.

“Racizmi është i vërtetë në Amerikë. Dhe ka qenë gjithmonë. Ksenofobia është e vërtetë në Amerikë, dhe gjithmonë ka qenë. Seksizmi, gjithashtu. Presidenti dhe unë nuk do të heshtim. Ne gjithmonë do të flasim kundër dhunës, krimeve të urrejtjes dhe diskriminimit, kudo dhe kurdo që ajo të ndodhë”, theksoi Kamala Harris.