Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja, ka shpallur listën me 28 lojtarë që janë ftuar për tre ndeshjet e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”.
Kuqezinjtë do të luajnë në transfertë ndaj Andorrës më 25 mars, ndërsa më 28 mars përfaqësuesja kuqezi do të presë Anglinë në Tiranë. Takimi i tretë do të luhet më 31 mars, ndaj San Marinos, sërish në transfertë.
Bie në sy grumbullimi për herë të parë i mesfushorit të Empolit, Nedim Bajrami (i cili ka qenë pjesë e U21 të Zvicrës, por zgjodhi që të luajë me ngjyrat kuqezi) dhe mbrojtësit 17-vjeçar Mario Mitaj, i cili luan me AEK-un, në Greqi.
“Ka disa emra të rinj, për shembull Nedim Bajrami, i cili për herë të parë i bashkohet grupit. Është një lojtar i cili po paraqitet mjaft mirë tek Empoli. Prej një viti kemi qenë në kontakt me të dhe tani ka vendosur të jetë pjesë e Kombëtares sonë, të shpresojmë që do të na ndihmojë. Një tjetër është Mario Mitaj, një djalë i ri dhe me potencial që ka spikatur me AEK-un e Athinës në Greqi, ka mundësi të përmirësohet edhe më shumë, por ndërkohë do të fillojë të jetë pjesë e Kombëtares A në mënyrë që të nisë të ambientohet për të ardhmen, sepse është ende shumë i ri. Më pas kemi Çokajn, Kallakun, të gjithë lojtarë të ekipit Kombëtar U-21 dhe gjithashtu Kamberi, i cili për arsye të ndryshme, në fillim prej Covid-19 dhe më pas për shkak të kufizimeve në mbarë Europën, me klubet që i pengonin lojtarët të grumbulloheshin me kombëtaret, nuk e kemi patur në dispozicion më parë, por mendoj se ka ardhur momenti i duhur dhe tani më në fund mund ta shohim në aksion me ne. Në Skoci ka bërë disa ndeshje të shkëlqyera, kështu që është edhe në parametra të mirë fizikë. Është rikthyer pas disa kohësh, Ajeti, i cili po luan mjaft mirë vazhdimisht si titullar me klubin në Itali dhe është në kushte optimale”, deklaroi Reja për faqen zyrtare të FSHF-së në internet.
Ndërkohë, sulmuesit Balaj dhe Sadiku janë lënë jashtë listës.
Trajneri italian u shpreh kështu për lojtarët që nuk janë thirrur: “Ne kemi një listë me 28 lojtarë dhe më është dashur të lë jashtë lojtarë si Bekim Balaj në veçanti, i cili i ka dhënë shumë Kombëtares, por më duhet të krijoj hapësira për lojtarë më të rinj. Për shembull Uzuni po paraqitet mirë, po ashtu Kamberi, Manaj, Broja, i cili ka bërë paraqitje të mira me ne dhe me klubin në Holandë dhe duhet t’u krijoj hapësira të gjithëve. Natyrisht, lojtarët e lënë jashtë nuk janë braktisur, thjesht për këtë cikël ndeshjesh janë lënë jashtë, por janë pjesë e grupit të madh prej 38 lojtarësh që ne kemi. Do të duhej t’i grumbulloja të gjithë, por është e pamundur”.