Izolimi i gjatë për shkak të pandemisë së koroanvirusit ka lënë pas pasoja të rënda sociale në Itali duke shtuar varfërinë. Në Milano dhjetëra vetë qëndruan në radhë gjatë fundjavës për të marrë ndihma ushqimore.
Kriza e pandemisë ka shtuar varfërinë jo vetëm në Milano, por edhe në rajone të tjera të vendit, varfëri që po bëhet më e dukshme me kalimin e muajve.
Ende duket e largët dita e kthimit në normalitet me hapjen e plotë të ekonomisë. Ndërsa vendi përpiqet të shpejtojë vaksinimin, për pushimin e Pashkës qeveria vendosi një izolim të ri kombëtar.
Qeveria miratoi së fundi një pako stimuli financiar prej rreth 32 miliardë eurosh. Me këto para sipas kryeministrit Mario Draghi do të financohen me grante bizneset e detyruara të mbyllen nga izolimi.
“Qëllimi i pakos është t’u japë sa më shumë para sa më shumë njerëzve,” tha Draghi ndërsa shtoi se tani nuk është koha që vendi të shqetësohet për rritjen e borxhit publik, i dyti më i lartë në eurozonë.
Pakoja e re e stimulit financiar rrit përfitimet për të papunët dhe siguron financim të ri për shërbimin shëndetësor ndërsa spitalet po përballen me një rritje të qëndrueshme të të sëmurëve me Covid-19.
Qeveria gjithashtu zgjati periudhën e urdhrit që ndalon pushimet nga puna, urdhër që pritej të skadonte në 31 Mars. Bizneset e mëdha të cilat kanë qasje në skemat shtesë të stimulit financiar nuk lejohen që të pushojnë nga puna punonjësit e tyre deri në fund të Qershorit, ndërsa për firmat e vogla masa ka afat deri në Tetor.
Ndalimi i pushimit nga puna u prezantua si masë vitin e kaluar për të parandaluar një rritje të papunësisë ndërsa ndërmarrjet dhe dyqanet u mbyllën për të ndaluar përhapjen e Covid-19.