Frika për të mos humbur mbizotëroi në sfidën përmbyllëse të javës së 25-të të Superiores, Partizani-Teuta, e mbyllur më rrjeta të paprekura. Pavarësisht dominimit të të kuqve në lojë, kryesisht më qarkullimin e topit, munguan rastet e pastra në portat respektive.
Momenti më i diskutueshëm i kësaj përballjeje pretendentësh në “Elbasan Arena” u shënua në minutën e 74-t, kur Eneo Bitri e dërgoi me kokë topin në rrjetë, por sipas anësorit në pozicion jashtë lojë. Nga pamjet e përsëritura vihet re se mbrojtësi i Partizanit ishte thuajse në vijë me mbrojtësin kundërshtar në momentin e krosimit të topit. Përfundimisht 0-0, me të dyja skuadrat që humbin nga një pozicion për shkak të fitores së Vllaznisë, që u ngjit sërish në krye.
Tirana fitoi në transfertë ndaj Laçit me rezultatin 2-1, me dy gola të shënuar nga Celhaka dhe Ismajlgeci. Kjo fitore e bardhebluve kthen në vendin e parë të renditjes Vllazninë, me shkodranët që fituan në Krujë.
Vllaznia u kthye në krye pas suksesit të marrë vetëm në minutën e fundit të ndeshjes ndaj Kastriotit. Kuqeblutë shënuan me anë të Gurishtës në minutën e 90, duke marrë 3 pikë shumë të vlefshme në transfertë.
Ndërkohë, në ndeshjet e tjera të luajtura në orën 13:00, Bylis fitoi 2-1 ndaj Kukësit, ndërsa Skënderbeu mposhti Apoloninë me rezultatin 1-2.