Politika Najada Çomo: Politika është mision, do të vazhdoj punën në spital

Najada Çomo: Politika është mision, do të vazhdoj punën në spital

Pak ditë pasi pranoi ftesën e Kryeministrit Rama për të qenë kandidate e PS në zgjedhjet e 25 prillit Najada Çomo, shefe e Shërbimit Infektiv në QSUT, thotë se politika për të është mision ndaj nuk do të largohet nga profesioni i saj i vërtetë mjekësia. E ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, Çomo tha:

“Spitali është shtëpia ime reale prej tre dekadash dhe as nuk bëhet fjalë që unë të largohem më nga spitali. Kontributi im maksimal është pikërisht në vendin e punës, pra në profesionin tim. Unë nuk do ta braktis shtëpinë do ta kem atë shtëpi dhe mendova të jap kontributin tim në pjesën e politikës.” – tha Çomo.

Çomo shtoi se ftesa ishte e papritur për të.

“Natyrisht ishte një ftesë e papritur e vlerësuar dhe gjykova të isha pjesë e politikës pa u shkëputur nga vendi i punës dhe me kalimin e ditëve të politikës gjykoj që nuk kam gabuar në vendimin që kam marrë.” – theksoi Çomo në Përballë.