29 milionë doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca janë gjetur në një fabrikë italiane dhe pritej që të eksportoheshin drejt Britanisë së Madhe, shkruajnë mediat italiane. Sasia e gjetur ishte fshehur në fabrikën Catalent Anagni, ndërsa Bashkimi Europian nuk dinte gjë për ta.
Dozat ishin gati të transportoheshin në drejtim të Britanisë, por autoritetet italiane e zbuluan këtë sasi, si pjesë e një hetimi të nisur nga Komisioni Evropian. Sasia e gjetur është tepër e rëndësishme për Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe, që pritet t’i përdorin ato për vaksinimin e popullatës.
Mbretëria e Bashkuar do ta përdorte këtë sasi për të përshpejtuar fazën e parë të vaksinimit, e cila ka shkuar shumë mirë për javë të tëra. Por tani autoritetet mjekësore britanike kanë nevojë për dozat e dyta për të imunizuar përgjithmonë qytetarët.
Por shtrëngimi i BE-së për eksportin e vaksinave të prodhuara në territorin e saj, i cili filloi në 1 shkurt, e vë këtë objektiv në rrezik serioz. Dyshimi i BE është se AstraZeneca po favorizon shpërndarjet e vaksinave të saj në Mbretërinë e Bashkuar në kurriz të vendeve të BE.
Për të realizuar këtë strategji, Brukseli supozon se ndërmarrja anglo-suedeze fillimisht ngadalësoi qëllimisht dërgimin e dokumenteve të nevojshme për EMA për të përfunduar procesin e autorizimit për tregtinë e vaksinave.
Kujtojmë që shumë vende të Europës, përfshirë dhe Shqipërinë kanë përdorur vaksinat e prodhuara nga AstraZeneca. Vaksina e prodhuar nga kjo kompani ka kaluar çdo testim nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetit.
Madje, edhe pretendimet se vaksina shkaktonte mpiksje të gjakut ka rënë poshtë dhe shtetet që e kishin pezulluar përkohësisht injektimin e kësaj vaksine tek njerëzit, kanë rinisur procesin e vaksinimit.