Kosova Homazhe në Krushë të Madhe, Albin Kurti premton drejtësi për krimet e...

Homazhe në Krushë të Madhe, Albin Kurti premton drejtësi për krimet e kryera nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në Krushë të Madhe, në përkujtim të 243 qytetarëve të vrarë nga forcat serbe. 22 vite nga masakra, përgjegjësit ende nuk janë dënuar. Shefi i qeverisë premtoi se kjo do të ndryshojë dhe tha se do të ketë angazhim edhe për zbardhjen e fatit të të pagjeturve të luftës.

“Drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës nga Serbia mungon dhe është obligim i yni institucional që të angazhohemi maksimalisht me institucion e ardhshëm për krimet e kryera gjatë luftës dhe me aktivizimin e prokurorisë speciale e të sistemit drejtësisë në përgjithësi në mënyrë që të arrijmë që të shërojmë plagët e luftës duke zbardhur fatin e të pagjeturve dhe duke sjellë drejtësi që duhet të gjykojë e të dënojë kriminelët e luftës”, deklaroi Kurti.

Kurti shtoi se në dialogun me Serbinë, çështja e të pagjeturve të luftës do të jetë prioritet.

“Në raportin tonë me Serbinë ne e kemi prioritet çështjen e të pagjeturve dhe krimeve të kryera gjatë luftës meqenëse nuk mund të kemi, ardhmëri, paqe progres nëse nuk i trajtojmë këto krime makabre që janë kryer në popullin tonë, të gjithë e mbajmë sepse i kemi përjetuar vet, nuk duhet ta pyesim as gjyshin e stërgjyshin sepse këto krime kanë ndodhur”, shtoi ai.

Homazhe në Krushë të Madhe bëri edhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani.

“Plaga jonë është ende e hapur sepse kriminelët që kanë kryer këto maskara nuk e kanë marrë dënimin e merituar dhe në anën tjetër për shkak se akoma ka dhjetëra familjarë të dashura dhe dhjetëra familjare e anëtar të Republikës së sonë të cilët janë të zhdukur me dhunë, të cilët janë të pagjetur e për të cilët ende Serbia nuk ka dhënë përgjigje”, tha Osmani.