Sport Uzuni: Humba një shans të mirë. Gjimshiti: Duhet të bënim më shumë,...

Uzuni: Humba një shans të mirë. Gjimshiti: Duhet të bënim më shumë, por jemi një grup i mirë

Myrto Uzuni kishte mundësinë e artë për të shënuar golin e avantazhit 1-0 ndaj Anglisë në sfidën e Air Albania,s por e shpërdoroi dhe më pas “tre luanët” shënuan dy herë duke marrë një fitore të thjeshtë në Tiranë.

Në analizë që i bëri sfidës Uzuni deklaroi: “Mundësia ishte e mirë, ishte fillimi i ndeshjes dhe mund të shënonim dhe të merrnim të paktën 1 pikë ndaj një kundërshtari të fortë si Anglia. Kur sheh një skuadër si ata, duhet të qëndrosh kompakt sepse ata shfrytëzojnë zonat boshe. Duhet të merrnim përsipër ne në sulm, por është shumë e vështirë të depërtosh edhe në mbrojtjen e tyre. Ndiej keqardhje sepse të gjithë ndjejmë keqardhje, por përsa i përket rastit duhet të punojmë më shumë në stërvitje”, u shpreh Uzuni.

Gaboi te goli i dytë, Gjimshiti: Duhet të bënim më shumë, por jemi një grup i mirë

Berat Gjimshiti ishte një nga lojtarët më të mirë të Kombëtares në humbjen 0-2 ndaj Anglisë, edhe pse gaboi te goli i dytë i kundërshtarëve.

Pas ndeshjes, ai u shpreh se i gjithë ekipi duhet të kishte bërë më shumë në këtë takim. “Ndjehem mirë me performancën deri te gabimi, pasi nuk duhet të rrezikoja në mes. Jam i lumtur që kemi formuar një grup shumë të mirë, me lojtarë të rinj dhe me eksperiencë. Besoj se në këto ndeshje duhet përqendrimi. Dy gabime na ndëshkuan me dy gola. Niveli në Europë, apo ndeshjet në Champions të ndihmojnë shumë të përballesh edhe me lojtarë si të Anglisë, të cilët janë shumë të fizikshëm”, tha Gjimshiti.

Pas ndeshjes, ai u shpreh se atmosfera nuk ishte edhe aq e mirë në dhomat e zhveshjes. “Pasi u desh ta përballonim këtë kundërshtar me shumë vetëbesim. Besoj se kishim mundësi të krijonim më shumë raste nëse do të luanim me shumë vetëbesim. Kemi pasi mundësi të bënim shumë më mirë”, tha Gjimshiti.