Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se do të ketë “kosto dhe pasoja” për Rusinë, për siç thuhet aktivitetet e saj malinje ndaj Shteteve të Bashkuara.
Shefi i diplomacisë amerikane i bëri komentet në një intervistë me rrjetin televiziv CNN që u transmetua të dielën.
“Ne do të ndërmarrim masat e nevojshme për të mbrojtur interesat tona në momentin kur SHBA e shohin të përshtatshëm”, tha Blinken në intervistën që ishte regjistruar disa ditë më parë, ndërkohë që shefi i diplomacisë amerikane përmbyllte në Bruksel bisedimet me homologët e tij në NATO.
Mes aleatëve perëndimorë, tha ai “ka një angazhim të përbashkët” se duhet të tregohen “sy-hapur e të kthjellët” lidhur me veprimet e Moskës dhe ta mbajnë përgjegjës Kremlinin.
Shefi i diplomacisë amerikane tha se zyrtarët janë në vazhdën e punës duke analizuar mundësinë e sanksioneve ose masave të tjera nga Uashingtoni kundër Moskës dhe po vijojnë konsultimet me vendet e NATO-s. “Ne jemi më të fortë kur veprojmë në bashkërendim”, tha ai.
Megjithëse SHBA dhe Rusia rënë dakord me shpejtësi për të zgjatur një traktat për kontrollin e armëve që do të skadonte pak pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Biden, Uashingtoni po fajëson Rusinë për veprime të tjera, përfshirë ofertën e shpërblimeve për ata që kryejnë atentate ndaj trupave amerikane në Afganistan, përzierje në zgjedhjet e 2020 dhe penetrimin në sistemet kompjuterike amerikane.
Komentet e Blinken në intervistën dhënë CNN-it të kujtojnë deklaratat e Presidentit Biden i cili tha dy javë më parë në një intervistë me kanalin ABC se e konsideron udhëheqësin rus, Putin “vrasës”.
SHBA-Kinë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se sheh aspekte “gjithnjë e më konfrontuese” në marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Shefi i diplomacisë amerikane shtoi se kjo marrëdhënie ka pa diskutim dimensione rivaliteti, por ka edhe pista për bashkëpunim mes dy vendeve.
Të shtunën Shtetet e Bashkuara kritikuan sanksionet e Pekinit kundër dy zyrtarëve amerikanë për të drejtat fetare si dhe ndaj një ligjvënësi kanadez, të vëna pas komenteve të dy vendeve perëndimore lidhur me trajtimin e pakicës ujgure në Kinë.
Nord Stream 2
Sekretari i Shtetit u pyet gjatë intervistës edhe për tubacionin e gazit natyror Nord Stream 2, në veçanti në lidhje me masat që mund të marrë Uashingtoni për të penguar ndërtimin e kësaj strukture nga Rusia në Gjermani. Blinken tha se vendimi përfundimtar është në dorë të atyre që po përpiqen ta ndërtojnë tubacionin. Shtetet e Bashkuara, shtoi ai, thjesht duan që kundërshtitë e tyre ndaj këtij projekti të kuptohen qartë nga këto vende.