Ndryshe nga sa planifikon Bashkimi Europian, Greqia ka vendosur të njohë certifikatat e imunizimit të Serbisë me vaksinat ruse e kineze.
Ministrat e Turizmit të të dy vendeve, Tatjana Matiç dhe Haris Theocharis, nënshkruan të hënën memorandumin e bashkëpunimit gjatë dhe pas pandemisë së COVID-19.
Kështu qytetarët e Serbisë do të lejohen të shkojnë me pushime në Greqi këtë vit, nëse konfirmojnë se janë vaksinuar ndaj COVID-19 apo paraqesin rezultatin e testit negativ në kufi. Udhëtimi do të jetë i mundur që nga mesi i prillit, ndonëse sezoni turistik fillon zyrtarisht më 14 maj.
Ministrja Matiç tha se të dyja palët do të bëjnë çdo gjë të mundur që qytetarët të udhëtojnë të sigurt.
Ndërsa ministri Theocharis tha se vendi i tij do të pranojë edhe qytetarët e vaksinuar me vaksinat ruse dhe kineze.
Ndryshe parashikon Bashkimi Europian që në pasaportat e vaksinave do të njohë vetëm vaksinat e miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave.
Për të lehtësuar hyrjen e turistëve nga Serbia, qeveria greke ka vendosur të shtojë pikat kufitare me Bullgarinë dhe Maqedoninë Veriore.
Nga muaji maj Greqia do të fillojë të vaksinojë me përparësi të gjithë të punësuarit e sektorit të turizmit.
Ndonëse në mbarë Greqinë janë hapur njëmijë qendra vaksinimi, ritmi i imunizimit të popullsisë është ende shumë i ngadaltë, kjo për shkak të vonesave që u shkaktuan në mbarë Bashkimin Europian me vaksinat.