Bota Biden: Jemi në një luftë për jetë a vdekje me Covid-19

Biden: Jemi në një luftë për jetë a vdekje me Covid-19

SHBA shkon drejt 550 mijë viktimave, ish-koordinatorja e Presidentit Trump shkakton polemika: Gabuam, një pjesë të madhe mund ta kishim shmangur

Presidenti i SHBA Joe Biden u është lutur amerikanëve që të respektojnë masat paraprake dhe ka zgjeruar përpjekjet federale për të vaksinuar vendin, pasi shenjat e një vale të re të mundshme të rasteve të koronavirusit ndezën frikën e një vale vdekjeprurëse të katërt të infeksioneve dhe vdekjeve.

Presidenti njoftoi se në tre javë, deri më 19 prill, administrata e tij do të dyfishojë numrin e vendeve ku njerëzit mund të vaksinohen.

Ai gjithashtu tha se 90% e të rriturve amerikanë do të jenë bërë të pranueshëm për vaksinën deri në atë moment dhe 10% i fundit pas 1 majit.

Infeksionet e reja, shtrimet në spital dhe vdekjet janë në rritje, të nxitura nga sjellje më fleksibile dhe variante ngjitëse të virusit.

“Lufta kundër Covid-19 është larg nga të fituarit. Kjo është seriozisht vdekjeprurëse”, paralajmëroi Biden. “Ne jemi në një garë për jetë a vdekje me një virus që po përhapet me shpejtësi”, shtoi ai.

Biden u kërkoi shteteve të ndalonin lehtësimin e kufizimeve në takimet publike dhe i paralajmëroi njerëzit kundër “sjelljes së pamatur”.

SHBA shkon drejt 550 mijë viktimave

Shtetet e Bashkuara, edhe pse me shifra shumë më të ulëta falë fushatës masive të vaksinimit që ka imunizuar deri më tani, 15.5% të popullatës me dy doza, po i afrohet gjithsesi 550 mijë viktimave nga pandemia e koronavirusit.

Për këtë arsye, kanë shkaktuar shumë polemika fjalët e ish-koordinatores së Task Forcës amerikane kundër pandemisë nën presidencën Trump, Deborah Birx. Mjekja e njohur, në një intervistë për CNN, pohoi se vala e para goditi fort vendin, dhe ishte e kuptueshme pa përgatitje, por në muajt në vijim strategjia e Shtëpisë së Bardhë ishte e gabuar, me një kosto shumë të madhe jetësh që ndoshta mund të shpëtoheshin.

“Unë e shoh kështu. Valën e parë kishim një justifikim, se ishim të gjithë të papërgatitur. Ajo fazë i kushtoi vendit rreth 100 mijë viktima. Por të gjithë të tjerat mund të shmangeshin në pjesën më të madhe”.

Birx vijoi duke treguar klimën që sipas saj ekzistonte në Shtëpinë e Bardhë, dhe qasjes mosbesuese të paktën në fillim ndaj rrezikshmërisë së COVID-19.

“Ishte një ndjesi e qartë në Shtëpinë e Bardhë që presidenti nuk mbështeste masa si vënia e maskave, por edhe pjesa më e madhe e stafit të Shtëpisë së Bardhë nuk e merrte seriozisht pandeminë”, deklaroi Birx.

Shtetet e Bashkuara kanë kaluar pragun e 30 milionë rasteve, ndërkohë që deri më tani janë injektuar më shumë se 143 milionë vaksina.