Politika Basha hipën mbi karroceri: Po vjen era e ndryshimit, por të respektojmë...

Basha hipën mbi karroceri: Po vjen era e ndryshimit, por të respektojmë masat kundër Covid

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet në Fier këtë të martë. Kreu i opozitës u prit nga dhjetëra qytetarë. Ndryshe nga herët e tjera, ai mbajti një fjalim mbi karrocerinë e një makine. Basha u shpreh se po vjen era e ndryshimit.

“Era e ndryshimi po vjen. Një ndryshim pozitiv, një çlirim shpirtëror, një çlirim nga depresioni. Era e ndryshimit do të sjellë për shqiptarët, punësim, liri e pozitivitet”, tha Basha.

Shumica e qytetarëve të pranishëm gjatë vizitës së Bashës nuk i respektonin masat e pandemisë siç janë distanca dhe maskat.

Kreu i opozitës u bëri thirrje që të zbatojnë rregullat dhe kushtet ku zhvillohet fushata.

“Dua t’ju lus nga zemra të zbatojmë kushtet kur ndodh kjo fushatë, të mbajmë maskën, të mbajmë distancën, por të çojmë më lart frymën e shpresës, ndryshimin, frymën e fitores që sëbashku do ta bëjmë të mundur. Shqipëria do të fitojë”, tha Basha.

Kreu i demokratëve ftoi qytetarët që të votojnë Partinë Demokratike pasi sipas tij vetëm kështu mund të vijë ndryshimi. Ai garantoi se që prej ditës së parë do të jetë në shërbim të njerëzve.

Vizita e kryedemokratit Lulzim Basha ishte parashikuar për t’u realizuar të hënën, por u anulua në nder të ish-kryeministrit Bashkim Fino, i cili ndërroi jetë për shkak të koronavirusit.