Politika REPLIKAT/ “O lula, jam i frikësuar për njerëzit tuaj”

REPLIKAT/ “O lula, jam i frikësuar për njerëzit tuaj”

“O lula unë jam i frikësuar për njerëzit tuaj që i bëni mish për top me grumbullimet e turpshme të papërgjegjshmërisë suaj, duke mbledhur njerëz të verbër me makina e me bori, që virusi të bëjë dasëm teksa dhëndri juaj premton ta bëjë ditën natë! Premtim i mbajtur fatkeqësisht!”.

Kështu zgjodhi t’i përgjigjej Kryeministri Edi Rama, akuzave të opozitës që tha se kreu i qeverisë ndihet i frikësuar nga qytetarët e Shqipërisë.

Replikat mes palëve erdhën pasi Rama e akuzoi PD se po bën përshesh me virus për politikë, pa din e as iman.

“Dy botë-Njëra lufton për të shpëtuar jetën e të gjithëve pa dallim, tjetra bën përsheshe me virus për politikë pa din e as iman… Vazhdon vaksinimi masiv në gjithë Shqipërinë. Vazhdon paralelisht edhe infektimi masiv, për vete hipur mbi makinë, nën këmbë ta hajë kush ta hajë”, shprehej më herët kryeministri, duke komentuar takimin e kryedemokratit Lulzim Basha në Fier, ku u prit nga dhjetëra qytetarë, të cilët nuk respektonin masat anti-Covid.

DY BOTË – Njëra lufton për të shpëtuar jetën e të gjithëve pa dallim, tjetra bën përsheshe me virus për politikë pa din…

Posted by Edi Rama on Tuesday, 30 March 2021

Në kundërpërgjigje PD tha se “Rama ndihet i frikësuar nga qytetarët e Shqipërisë që duan të sjellin ndryshimin që i nevojitet vendit tonë.  Ka vetëm dy mundësi: një lider që punon për ju, për të sjellë ndryshimin që i nevojitet Shqipërisë, për t’i përmirësuar jetët tona, ose Rama i cili dështoi për 8 vite dhe ua dha Shqipërinë oligarkëve. Më 25 prill, Shqipëria do të fitojë dhe Rama do të humbë!”.