G. Gordon Liddy, ish-agjent i FBI, organizator i atij që u fut në historinë amerikane si skandali i “Watergate”, ka vdekur në moshën 90-vjeçare. Lajmin e konfirmoi i biri për CNN, duke thënë se Liddy kishte vdekur nga shkaqe të tjera, që nuk lidheshin me koronavirusin. Kishte 3 javë që kishte marrë vaksinën.
Liddy, i cili punoi për komitetin e rizgjedhjes së Presidentit Richard Nixon, ishte njeriu që orkestroi futjen brenda godinës së Komitetit Kombëtar të Partisë Demokratike mbrëmjen e 17 qershorit 1972, duke thënë më vonë “më ka mbetur peng që misioni dështoi”. Ai u dënua si pjesë e grupit që organizoi aksionin, që kishte si qëllim përgjimin e rivalëve të Nixon. I dënuar fillimisht me 20 vite burg, ai qëndroi në qeli vetëm për 4 vite, pasi iu ul dënimi nga një vendim i Presidentit Jimmy Carter. Më vonë, Liddy drejtoi një emision radiofonik dhe bëri karrierë edhe në aktrim.
Skandali i “Watergate” solli edhe rrënimin politik të Nixon dhe në ditët pas arrestimit të Liddy-t, presidenti do të orkestronte disa skema për të shfajësuar Shtëpinë e Bardhë nga çdo përgjegjësi për këtë komplot spiunazhi. Dekada më vonë, Liddy u rikthye në politikë, duke marrë pjesë edhe në fushata për mbledhje fondesh për republikanët, si ish-kandidati për president, John McCain.
Ai mbahet mend edhe për faktin që i ka bërë disa herë thirrje Shteteve të Bashkuara për të dalë nga NATO.