Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të kthehen në bankat e shkollës maturantët. Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli, u shpreh se ky vendim vjen pas vaksinimit që i është bërë mësuesve. Megjithatë situata do të jetë gjatë gjithë kohës në monitorim tha ajo.
“Në kushtet e momentit që zhvillohet viti akademik, kemi vendosur që maturat të fillojnë mësimin në klasë. Është një masë, vijimësia e së cilës do të kushtëzohet nga një monitorim i kujdesshëm gjatë kohës që do të jenë të hapura. Maturat duhet të zbatojnë protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga infeksioni”, tha Rakacolli.
Sa i përket masave të tjera, Rakacolli tha se mbeten në fuqi të njëjtat.
“Masat e tjera do të mbeten njëlloj, siç është ora policore, nga ora 20:00 deri në 6:00. Do të vazhdojnë baret dhe restorantet të mbyllura pas orës 20:00. Mësimi do të vazhdojë online për të gjitha pjesët e tjera të sistemit arsimor. Edhe fluturimet me Britaninë do të vijojnë të jenë të pezulluara”.