Mali i Zi ka nisur fushatën e vaksinimit me anë të vaksinave Astra Zeneca në Qendrën Muzikore në Podgoricë.
Numri dy i qeverisë malazeze, Abazoviç tha se zgjodhi të vaksinohej publikisht “me vaksinën më të kontestuar AstraZeneca”.
“Nëse 23 milionë britanikë mund të vaksinohen me AstraZeneca, edhe unë mund të bëj”, tha Abazoviç.
Abazoviç theksoi se vaksinimi shpëton jetë, por edhe ekonominë. Sipas tij Mali i Zi nuk do të jetë një destinacion i dëshirueshëm turistik nëse ka një përqindje të ulët të popullsisë së vaksinuar.
Abazoviç u bëri thirrje të gjithëve që të marrin pjesë në mënyrë aktive në fushatën e imunizimit. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë malazeze njoftoi se vaksinimi do të kryhet çdo ditë, varësisht nga interesi, nga 8 deri në 20 orë.
Edhe presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier mori sot dozën e parë të vaksinës AstraZeneca.
”Këtë dozë ai e mori në spitalin ushtarak të Berlinit”, njoftoi zyra e presidentit.
”Kur të jetë radha ime, unë gjithashtu do të vaksinohem me AstraZeneca”, ka deklaruar më herët kancelarja gjermane Angela Merkel duke iu përgjigjur një pyetje mbi vaksinimet me AstraZeneca.