Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar fletën e votimit për zgjedhjet e 25 prillit.
Në fletë, krahas subjekteve politike, do të jenë të renditur edhe kandidatët për deputet ku do të kenë të shënuar edhe emrin dhe mbiemrin e tyre.
Sipas komisionerit, ky model është më afër përcaktimeve që bën Kodi Zgjedhor dhe mbi të gjitha më praktik për zgjedhësit.
Por përfaqësuesi politik i socialistëve mendon se një fletë me kaq informacion në mënyrë të veçantë në kryeqytet, që ka dhe numrin më të madh të kandidatëve do ta komplikonte si procesin e votimit ashtu dhe atë të numërimit.
“Kjo është gazetë nuk është fletë votimi. 500 emra kandidatësh nga 12 subjekte. Konfondon zgjedhësin, vonon procesin e numërimit”, tha ai.
Por pjesa më e madhe e forcave politike, përfshirë demokratët, mbështetën propozimin e Celibashit për një fletë me emra kandidatësh dhe jo me numra siç kërkojnë socialistët.
Tashmë socialistët kanë dhe një mundësi të fundit për ta kundërshtuar këtë zgjedhje, pasi kanë vendosur ta çojnë vendimmarrjen e komisionerit në Kolegjin Zgjedhor.