Rikthehet frika në Capitol Hill gati tre muaj pas sulmit tragjik në selinë e Kongresit Amerikan që u kushtoi jetën e pesë personave. Një makinë përplasi një nga pengesat e vendosura për të mbrojtur zonën, duke plagosur dy agjentë të Policisë së Kapitolit të SHBA, njëri prej tyre vdiq nga plagët njoftoi policia e Kapitolit.
Autori është Noah Green, një shtetas amerikan 25-vjeçar i shtetit të Indianas, i cili përplasi automjetin e tij në barrikadën veriore të Kapitolit, duke goditur dy oficerë policie të Kapitolit, para se ai të qëllohej nga policia.
Presidenti i SHBA Joe Biden tha se ai ishte “tronditur” nga ajo që ndodhi në Capitol Hill ku një agjent vdiq pas një sulmi.
Pasi alarmi pushoi, bllokimi u hoq me përjashtim të një zone të kufizuar, asaj ku ndodhi aksidenti.
Nga faqja e tij në Facebook del se Noah Green ishte një pasues i Kombit të Islamit, një lëvizje Afro-Amerikane, që daton në 1930, me qendër në Detroit dhe e përshkruar si një “sekt militant islamik”. Në rrjetin social ka edhe disa postime në të cilat sulmuesi ankohet se ka humbur punën e tij dhe është në kërkim të një udhëzuesi shpirtëror. Green vuante kohët e fundit nga çrregullimet psikike. Kjo raportohet nga CNN, që citon burime hetimore, të cilët po hetojnë profilet e tij në media të ndryshme sociale. Në javët e fundit Green kishte botuar disa postime në të cilat ai tha se kishte frikë nga FBI dhe CIA.
Të gjithë njerëzit brenda zonës u urdhëruan të qëndronin brenda ndërtesave dhe larg dyerve dhe dritareve të hyrjes.
Alarmi i sulmit tjetër të dhunshëm në territorin e Kapitolit të SHBA shkaktoi tronditje në Uashington, DC, të premten, duke prishur qetësinë e fillimit të fundjavës dhe duke u kujtuar se një komb që po përballet me pandeminë është gjithashtu nën kërcënim.
Megjithëse nuk kishte ndonjë lidhje të menjëhershme midis 6 janarit dhe të premtes, incidenti nxjerr në pah se kompleksi mbetet objektiv i mundshëm për dhunë.
Pika e kontrollit të sigurisë ku ndodhi ngjarja përdoret zakonisht nga senatorët dhe personeli gjatë ditëve të javës, por ligjvënësit janë me pushime.
Barrierat që pengonin trafikun e automjeteve pranë asaj zone u hoqën së fundmi, pasi Kapitoli filloi të rihapej pas trazirave të 6 janarit.