Sport Agnelli ndjek me Allegrin derbin, Napoli vendos fatin e Pirlos

Agnelli ndjek me Allegrin derbin, Napoli vendos fatin e Pirlos

Projekti i Andrea Pirlos në pankinën e Juventusit duket drejt fundit. Rreziku për të mos arritur as një vend në zonën Champions, që do të ishte një tragjedi për klubin bardhezi, e bën ndeshjen e të mërkurës me Napolin, vendimtare jo vetëm për Juven, por edhe për teknikun Pirlo.

Sipas mediave italiane, presidenti Agnelli ka ndjekur derbin e së dielës me Torinon nën shoqërinë e Massimiliano Allegrit, pasi të dy janë miq shumë të mirë, por nuk përjashtohet mundësia që të kenë biseduar për një rikthim të bujshëm të Max në pankinën bardhezi.

Momentalisht në Itali janë të sigurt që nëse Juventusi nuk arrin të fitojë ndeshjen me Napolin të mërkurën, atëherë Pirlo do të shkarkohet dhe i vetmi emër i madh që mund të ulet menjëherë në stol është pikërisht Allegri.

Megjithatë edhe nëse bardhezinjtë arrijnë të fitojnë me Napolin dhe arrijnë të sigurojnë një vend në zonën Champions, presidenti Agnelli duket i bindur të ndërpresë bashkëpunimin me Pirlon në fund të sezonit, pasi Juventusi i tij nuk ka arritur të tregojë një identitet të qartë loje.

Në këtë rast diferenca është se nëse Pirlo do të arrijë të mbyllë sezonin në pankinën e Juventusit, atëherë për të pasuar ish-mesfushorin italian favorit nuk do të jetë më Allegri, por njëri mes Zinedine Zidane dhe Simone Inzaghit.

Të dy këta janë trajnerë të rinj dhe me entuziazëm e dëshirë për të bërë mirë, ndaj Agnelli do të ishte gati t’u besonte pankinën, duke qenë se nuk është shumë fans i rikthimeve si në rastin e Allegrit, që ka fituar 5 tituj radhazi me Juventusin.

Nga ana tjetër, trajneri Andrea Pirlo nuk e fshehu zhgënjimin në fund të derbit dhe pranoi momentin e vështirë që po kalon skuadra, teksa tha se për të dalë nga kjo gjendje, nevojiten disa fitore radhazi.

“Kur nuk fiton, nuk mund të jesh i kënaqur, por thjesht duhet të punosh dhe të përmirësohesh. E dimë që po kalojmë një moment të vështirë dhe po punojmë për t’u përmirësuar, por kemi nevojë për disa fitore radhazi, që të rritemi moralisht”, u shpreh tekniku bardhezi.

“E kemi komplikuar vetë ndeshjen, pasi kaluam në avantazh dhe mund ta menaxhonim shumë më mirë lojën. Ai gabim si te goli i dytë ndodh në një ndeshje futbolli, por ne po na ndodhin pak si shpesh. Nuk jemi të kënaqur me ecurinë e sezonit, pasi po lëmë shumë pikë rrugës, por duhet të punojmë edhe më shumë për t’u përmirësuar”, mbylli deklaratën e tij Pirlo.