Sport Anglia hap dyert për tifozët, 8 mijë spektatorë për finalen e Carabao...

Anglia hap dyert për tifozët, 8 mijë spektatorë për finalen e Carabao Cup

Prej më shumë se një viti dyert e stadiumeve janë të mbyllura për tifozët për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, megjithatë me nisjen e procesit të vaksinimit, po afrohet gjithmonë e më shumë data kur spektatorët të mbështesin sërish skuadrat e tyre të zemrës nga shkallët e tribunave.

Një nga vendet që ka avancuar më shumë me procesin e vaksinimit është Anglia dhe qeveria e vendit atje ka dhënë miratimin zyrtar që të hapen dyert e stadiumit “Wembley” më 25 prill, me rastin e finales së Carabao Cup, mes Manchester City-t dhe Tottenhamit.

Lajmin e ka dhënë vetë klubi londinez nëpërmjet një komunikate zyrtare, ku sqaron se është miratuar tashmë prania e 8000 tifozëve në shkallët e “Wembley”-t, ose e 10% të kapacitetit të plotë të stadiumit.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se ende nuk është vendosur si do të përzgjidhen tifozët që do të lejohen të ndjekin ndeshjen nga shkallët e stadiumit, pasi qeveria britanike ka propozuar që të futen vetëm ata që kanë arritur të vaksinohen.

Ky do të jetë edhe një test paraprak, para se të lejohet prania e tifozëve edhe në stadiume të tjera, si dhe të rritet përqindja të paktën deri në masën 30%, që është edhe synimi kryesor i UEFA-s për ndeshjet e Kampionatit Europian.