Dy tamponë të shpejtë falas në javë për të gjithë në Britaninë e Madhe. Kjo është masa më e re e Londrës pas lehtësimit të masave në vend. Testet e shpejta – që iu ishin ofruar studentëve dhe familjeve të atyre që punonin jashtë shtëpisë – nga 9 prilli do të jenë në dispozicion për të gjithë. Tamponët mund të merren falas nëpër farmaci ose mund ti marrësh me postë. Ideja, e shpjeguar nga ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, është për të evituar çdo lloj rikthim të virusit pas lehtësimit të masave të lockdown-it.
Britania me certifikatat COVID për ngjarje masive
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar do të pilotojë një sistem të “certifikatave të statusit COVID” për ngjarje masive, të tilla si ndeshje futbolli, në javët e ardhshme, e cila është një mënyrë për të lehtësuar kufizimet epidemiologjike, tha qeveria.
Një deklaratë e Downing Street konfirmoi se Britania e Madhe planifikon të lëshojë një certifikatë që do të tregojë nëse një person është vaksinuar, ka antitrupa ndaj COVID-19 ose një test negativ.
Por një pjesë e Partisë Konservatore në pushtet të kryeministrit Boris Johnson e kundërshton këtë.
Qeveria do të njoftojë të hënën se sistemi do të testohet në ngjarje nga mesi i prillit, duke përfshirë ndeshjet gjysmëfinale të Kupës FA në Wembley, raporton AFP.
A janë diskriminuese pasaportat COVID?
Johnson tha se qeveria po bën gjithçka që është në fuqinë e saj për t’i rikthyer njerëzit në ngjarje, udhëtime dhe gjëra të tjera që ata i duan në mënyrë sa më të sigurt të jetë e mundur.
Ngjarjet në provë “do të luajnë një rol të rëndësishëm në mundësimin e kësaj”, shtoi ai.
Ligjbërësit nga Partia Konservatore, si dhe Partia e Laburiste e opozitës, kanë kundërshtuar publikisht “pasaportat COVID” brenda vendit sepse ato janë diskriminuese.
Lideri laburist Keir Starmer argumentoi se një masë e tillë ishte në kundërshtim me instinktet britanike, ndërsa një grup deputetësh nga disa parti thanë se kjo do t’i linte njerëzit pa punë dhe shërbime.
Downing Street thotë se projekti pilot “do të lejojë një hapje më të sigurt për tubime më të rrezikshme me shumë pjesëmarrës.”
Sistemi i certifikimit është krijuar për ngjarje me shumë njerëz, ku është e pamundur të mbash distancë, tha qeveria.
Sistemi shëndetësor shtetëror po zhvillon një kartë identifikimi dixhitale dhe jo-dixhitale, njoftoi qeveria britanike.
Qeveria ka konfirmuar gjithashtu se vendet do të klasifikohen në tre kategori, pasi MB do të lejojë fluturime ndërkombëtare nga vendi në 17 maj.
Britanikët do të jenë në gjendje të vizitojnë vendet e pushimeve “të gjelbërta”, por do të duhet të testohen para se të largohen dhe pas kthimit në vend.